DVP Tiranë/Punë hetimore dhe operacionale për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Puzzle”, pas një hetimi 5-mujor me metoda proaktive.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë.
Sekuestrohen 14 armë zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë), 2077 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.
Gjatë periudhës hetimore janë identifikuar 12 shtetas që trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë. 10 prej tyre janë vënë në pranga, ndërsa 2 janë shpallur në kërkim.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës hetimore dhe operacionale për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve, pas një hetimi 5-mujor me metoda proaktive, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Puzzle”.
Në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit: E. T., 32 vjeç, L. H., 21 vjeç, F. B., 26 vjeç, R. H., 21 vjeç, V. M., 23 vjeç, K. F., 18 vjeç, G. M., 22 vjeç dhe A. Sh., 23 vjeç. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit R. K., 41 vjeç dhe A. N., 24 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht në Kosovë por dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, i sillnin ato në Tiranë, për t’i shitur.
Gjatë periudhës hetimore, në kuadër të këtij procedimi, më datë 01.04.2025, janë ndaluar shtetasit A. P dhe K. P., pasi u kapën në flagrancë me 2 armë zjarri, të dyshuara të trafikuara nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë.
Personat e arrestuar për armët sot në Tiranë Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj, Adriano Shehu, Altin Pajaziti dhe Kadri Prushi.