FLASH :

Goditet gogoli i plazhit publik në Golem, i hiqen 190 çadra

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë intensifikuar kontrollet përgjatë vijës bregdetare, në kuadër të planit të posaçëm operativ të koduar “Plazhi i lirë”, që ka për qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme, pa lejet përkatëse, nga subjekte private apo vetë pushues.
Gjatë kontrolleve të fundit në zonën bregdetare të Golemit, policia ka ndërhyrë në dy hapësira publike që ishin zënë pa leje, duke sekuestruar 190 komplete me çadra dhe shezlongë. Në njërin rast, pajisjet ishin vendosur nga një shtetase që pretendonte se kishte leje për shfrytëzimin e hapësirës, ndërsa në rastin tjetër, ato ishin vendosur nga një qytetar pa asnjë autorizim.

Në përfundim të veprimeve procedurale, janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kavajë, ku është nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen L. S., banuese në Tiranë, për veprën penale të pushtimit të paligjshëm të tokës publike. Policia e Shtetit bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vijën bregdetare, për të siguruar përdorimin e lirë dhe të barabartë të hapësirave publike nga pushuesit, si dhe për të verifikuar ligjshmërinë e veprimtarive të zhvilluara nga subjektet private gjatë sezonit turistik.