Policia e Tiranës ka zbardhur dhe dokumentuar pengmarrjen e dyshuar të një të mituri, ngjarje kjo e ndodhur më datën 1 gusht të këtij viti në aksin rrugor “Fushë Krujë-Vorë”.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ranë dy persona, dhe dy të tjerë janë vënë në kërkim.
Gjatë hetimeve rezultoi se dy të arrestuarit, pas një konflikti për motive të dobëta, i kanë hequr lirinë një shtetasi të mitur.
Më tej, pas kallëzimit, shtetasit E. K. dhe A. Z. (në kërkim), kanë goditur me grushte shtetasin e mitur, si edhe një 22-vjeçar dhe një 36-vjeçar (të cilët e shoqëronin të miturin), me qëllim që ata të tërhiqnin kallëzimin.
NJOFTIMI I POLICISË
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 01.08.2025, në aksin rrugor “Fushë Krujë – Vorë”.
Identifikohen dhe vihen në pranga 2 shtetas, të cilët për motive të dobëta i hoqën lirinë padrejtësisht një shtetasi të mitur.
Shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të veprimeve të thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 01.08.2025, pas komunikimit me Prokurorin, bënë ndalimin e shtetasve:
E. K., 33 vjeç dhe D. K., 22 vjeç, të dy banues në Krujë. Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit E. K. dhe A. Z.
Gjatë hetimeve rezultoi se dy të arrestuarit, pas një konflikti për motive të dobëta, i kanë hequr lirinë një shtetasi të mitur.
Më tej, pas kallëzimit, shtetasit E. K. dhe A. Z. (në kërkim), kanë goditur me grushte shtetasin e mitur, si edhe një 22-vjeçar dhe një 36-vjeçar (të cilët e shoqëronin të miturin), me qëllim që ata të tërhiqnin kallëzimin.
Punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.