Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar përfundimisht procesin gjyqësor kundër qeverisë shqiptare lidhur me shkarkimin e tij nga detyra në vitin 2022. Gjykata Administrative e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke e shpallur të paligjshëm largimin e tij dhe duke i njohur të drejtën për të përfituar 60 paga mujore — ekuivalente me rreth 100 mijë euro — për pesë vite mandat të ndërprerë para kohe. Trupi gjykues i përbërë nga Ardian Dvorani, Gentian Hamiti dhe Sokol Ibi rrëzoi ankimimin e Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme, të cilat kishin kërkuar prishjen e vendimit të parë në favor të Nanos.
Nano u shkarkua më 31 gusht 2022 me propozim të ish-ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, me arsyetimin se nuk kishte përmbushur objektivat, ndërkohë që kryeministri Edi Rama e kishte kërkuar publikisht dorëheqjen e tij. Aktualisht, për shkak të këtij vendimi, në sistemin shtetëror do të paguhen dy paga për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ndërkohë, Gledis Nano është kualifikuar në fazën e dytë të garës për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pasi ka kaluar me sukses filtrin e Komisionit të SPAK. Qeveria ka afat deri më 26 korrik për të paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë.