FLASH :

Snajperë dhe njësi anti-drone blindojnë Vatikanin për funeralin e Papa Françeskut

Një operacion masiv sigurie është në zhvillim në Romë, ndërsa rreth 500,000 pelegrinë kanë filluar të mbërrijnë në kryeqytetin italian për funeralin e Papa Françeskut, i planifikuar për të shtunën.

Autoritetet kanë vendosur një “rreth prej çeliku” rreth Vatikanit, me ardhjen e VIP-ave nga 170 shtete të ndryshme, përfshirë figura të larta shtetërore si Princi William, Sir Keir Starmer, Donald Trump me bashkëshorten Melania, si dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

Presidenti rus Vladimir Putin nuk është i ftuar, dhe në vend të tij do të marrë pjesë ministrja e kulturës së Rusisë, Olga Ljubimova.

Masat e sigurisë përfshijnë njësi të ushtrisë kundër dronëve, polici të armatosur me mitralozë, forca speciale snajperistësh mbi çatitë, njësi të fshehta, patrulla me kuaj, helikopterë dhe anije në lumin Tiber, që kalon pranë Vatikanit.

“Kemi krerë shtetesh nga mbarë bota, anëtarë të familjeve mbretërore dhe shumë personalitete, kështu që është një operacion gjigand sigurie, por jemi të përgatitur për çdo skenar”, tha një burim për mediat italiane.

Siguria është rritur ndjeshëm edhe nëpër dy aeroportet e qytetit – Fiumicino dhe Ciampino, ndërsa baza ajrore ushtarake e Pratica di Mare është në gatishmëri. Një avion AWACS (Airborne Warning and Control System) do të patrullojë nga ajri, ndërkohë që kanalet dhe rrjetet e ujërave të zeza po kontrollohen një më një.

Në disa pika pranë Vatikanit janë vendosur njësi të armatosura të mbrojtjes ajrore, secila me dy ushtarë – një operator anti-dron dhe një vrojtues me dylbi, të pajisur me armatime italiane CPM, që funksionojnë duke bllokuar sinjalet radio të dronëve.

“Nuk mund të jap shumë detaje, por mund ta devijojmë një dron ose ta bëjmë të ulet”, tha një prej operatorëve për Daily Mail.

Ndërkohë që Papa Françesku vijon të qëndrojë në homazh publik në Altarin e Rrëfyesit brenda Bazilikës së Shën Pjetrit, mijëra njerëz vijojnë të rreshtohen për ta nderuar. Dyert e Bazilikës do të mbyllen të premten në orën 19:00, ndërsa arkivoli do të mbyllet në orën 20:00 për t’u përgatitur për ceremoninë e së shtunës.

Në një shkëputje nga tradita, Papa Françesku ka kërkuar të varroset në bazilikën Santa Maria Maggiore, dhe jo në varrezat papnore nën Shën Pjetër. Kjo ka shtuar vështirësitë logjistike, pasi rreth katër milje rruge do të duhet të bllokohen, ndërkohë që kortezhi do të lëvizë ngadalë për t’i lejuar turmës t’i japë lamtumirën e fundit.