Më shumë se gjysma e pensionistëve shqiptarë kanë përfituar pagesa të pjesshme gjatë vitit 2024, duke reflektuar një krizë të thellë në sistemin e sigurimeve shoqërore. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, rreth 52% e pensioneve të pleqërisë ishin të pjesshme, nga 49.7% që ishin një vit më parë.
Rritja e numrit të pensioneve të pjesshme tregon se gjithnjë e më shumë qytetarë nuk arrijnë të përmbushin kriteret për pension të plotë, për shkak të emigrimit, punës informal ose ndërprerjeve të periudhave të sigurimit.
Në total, numri i pensioneve të pleqërisë arriti në 607,567 gjatë vitit 2024, me një rritje vjetore prej 2.9%, ndërsa numri i atyre të pjesshme u ngjit në 316,781, me një rritje alarmante prej 7.8% në krahasim me 2023.
Për herë të parë, më shumë se gjysma e pensionistëve nuk marrin pension të plotë. Kjo lidhet edhe me reformën e nisur në vitin 2015, e cila kërkon rritjen graduale të viteve të sigurimit nga 35 në 40 deri në vitin 2032. Në vitin 2024, për një pension të plotë nevojiteshin mbi 38 vite sigurim, ndërsa mesatarja reale e viteve të mbledhura ishte vetëm 26.7.
Punësimi informal, që vazhdon të mbetet i përhapur, është një nga faktorët kryesorë që ndikon negativisht. Gati një e treta e të punësuarve në Shqipëri nuk janë të siguruar, sipas të dhënave zyrtare, ndërsa Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e konsideron këtë shifër edhe më të lartë.
Edhe migrimi ka ndikuar ndjeshëm: shumë shqiptarë, sidomos të rinj, emigrojnë për periudha të gjata pa kontribuar në skemën e sigurimeve, dhe kur kthehen për pension, përfitojnë vetëm një pjesë të tij.
Rritja e pagesave të pjesshme ka pasoja të drejtpërdrejta në cilësinë e jetës. Pensionet e pjesshme janë dukshëm më të ulëta se ato të plota, duke e bërë të vështirë për përfituesit të përballojnë nevojat bazë si ushqimi, ilaçet, strehimi dhe energjia. Shumë prej tyre rrezikojnë të përfundojnë në varfëri, veçanërisht nëse nuk kanë mbështetje familjare ose të ardhura alternative.