FLASH :

Gjysma e fëmijëve shqiptarë me anemi – mjekët alarmojnë: “Po ushqehen keq dhe preken nga çdo virozë”

Prevalenca e anemisë po rritet ndjeshëm në Shqipëri, ashtu si në pjesën tjetër të botës. Mjekët paralajmërojnë se rreth 40–50% e fëmijëve deri në moshën 6 vjeç vuajnë nga anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit, një problem që prek gjithashtu vajzat e reja dhe një në tre gra në moshë riprodhuese. Sipas mjekes Manika Kreka nga QSUT, rastet e anemisë së rëndë janë pakësuar, por përhapja e formave të lehta dhe të moderuara mbetet alarmante, sidomos te fëmijët në moshë shkollore dhe adoleshentet.

Faktorët kryesorë që e përkeqësojnë këtë situatë janë kequshqyerja dhe infeksionet e shpeshta. Sipas ekspertëve, ushqimet e gatshme dhe stili i dobët ushqimor kanë bërë që fëmijët të jenë më të brishtë ndaj virozave që, nga ana tjetër, thellojnë aneminë. Kjo gjendje shoqërohet me simptoma si lodhje, plogështi, marramendje dhe mungesë përqendrimi. OBSH paralajmëron se anemia ndikon drejtpërdrejt në performancën shkollore dhe produktivitetin e të rriturve, duke sjellë pasoja ekonomike për familjet shqiptare.