FLASH :

Gjykimi ndaj Diddy-t: Fotot tronditëse nga bastisja në vilën luksoze në Miami. Armë, drogë dhe objekte të orgjive seksuale

Procesi gjyqësor për trafikim seksual ndaj reperit Sean “Diddy” Combs ka hyrë në një fazë të re tronditëse këtë javë, pasi jurisë iu paraqitën pamjet e konfiskuara gjatë një bastisjeje të vilës së tij në Star Island, Miami, në mars 2024.

Pamjet e publikuara për herë të parë të mërkurën tregojnë armë zjarri (pjesë të pushkëve AR-15), drogë të ndryshme, qese plastike me substanca të dyshimta dhe kuti me aksesorë të shumtë seksualë, përfshirë dhjetëra shishe lubrifikanti, letra dashurie të shkruara me buzëkuq në pasqyra dhe dhjetëra palë taka të larta të përdorura nga striptiste.

Një nga pushkët kishte të hequra numrat serialë, duke e bërë të pamundur gjurmimin. Agjenti i Sigurisë Kombëtare, Gerard Gannon, demonstroi para jurisë një pjesë të armës, duke siguruar se ishte çaktivizuar për arsye sigurie.

Në një moment tjetër të procesit, jurisë iu treguan tre kuti të mëdha plastike që përmbanin të paktën 26 shishe me vaj për bebe dhe 16 shishe lubrifikanti seksual “Astroglide”. Brenda kutive ishin gjithashtu edhe lodra të tipit “rosë gome”, që zakonisht përdoren nga fëmijët gjatë larjes.

Sipas dëshmive, Diddy i përdorte këto produkte gjatë të ashtuquajturave “freak-off” festa seksuale të shfrenuara. Më herët gjatë ditës, një eskortë mashkull me emrin Sharay Hayes, i njohur si “The Punisher”, tregoi në gjykatë se ishte paguar për të lyer me vaj trupin e Cassie Ventura, ish-e dashura dhe viktima e pretenduar e Diddy-t, në dy hotele në Manhattan, ndërsa reperi shikonte i maskuar.

Një tjetër foto e rrëqethshme tregonte një pasqyrë në një banjo luksoze me mermer dhe ar, mbi të cilën ishin shkruar me buzëkuq fjalë si: “Lëviz përpara” dhe “Çfarë DO?”. Në pasqyrë ishin edhe mesazhe të tjera si: “Je legjendë, skuadra Puffy” dhe “Të dua, Diddy”.

Pamjet e tjera tregonin qese me kërpudha psikedelike (“golden teachers, 250mg”), tableta me ngjyra të ndryshme, përfshirë kokainë, ketaminë, MDMA, crystal meth dhe alprazolam përbërësi aktiv i Xanax.

Në vilë u gjet gjithashtu një kuti me ilaç të fuqishëm për disfunksion erektil “Vital Honey” që përmban tadalafil (si Cialis), një bombolë gazi “nitrous oxide” për festa dhe një valixhe jeshile me mbishkrimin “Diddy” e përdorur për transport kanabisi.

Në dollapet e reperit u zbuluan gjithashtu kuti me bojë flokësh “Just For Men”, ndërkohë që skicat gjyqësore e tregojnë Diddy-n me flokë gri që prej ndalimit të tij në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Brooklyn.

Diddy mohon akuzat për trafikim seksual të Cassie Ventura dhe një gruaje tjetër të paidentifikuar. Ai mohon gjithashtu akuzat për pjesëmarrje në një rrjet kriminal. Avokatët e tij pranojnë se ai ka ushtruar dhunë në familje duke iu referuar videos së vitit 2016 ku ai shfaqet duke goditur Cassie në një korridor hoteli por këmbëngulin se çdo akt seksual ka qenë me pëlqim të ndërsjellë dhe se ai nuk ka trafikuar askënd.

Seanca gjyqësore vazhdon.