“Pasaportat e arta” që garantonin të drejtën e qëndrimit në BE përmes investimeve, shpallen në kundërshtim me ligjin evropian
Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) ka shpallur si të paligjshme praktikën e shitjes së shtetësisë nga Malta, duke e konsideruar shkelje të ligjit të Bashkimit Evropian. Sipas vendimit, skema e njohur si “pasaporta të arta” – përmes së cilës të huajt mund të merrnin nënshtetësinë malteze në këmbim të një investimi financiar – përbën një trajtë tregtare të shtetësisë, gjë që nuk përputhet me parimet themelore të BE-së.
Komisioni Evropian e kishte paditur Maltën në vitin 2022, duke e akuzuar se u jepte të huajve të drejtën për të jetuar dhe punuar në të gjithë BE-në vetëm kundrejt një pagese prej të paktën 600,000 euro, si dhe blerjes së një prone me vlerë mbi 700,000 euro ose qiradhënies së një banese luksoze. Gjykata theksoi se nëse dhënia e shtetësisë reduktohet në një marrëveshje monetare, ajo cenon konceptin e përkatësisë qytetare dhe detyrimet e ndërsjella që lidhen me nënshtetësinë.
Vendim me pasoja për të gjithë BE-në
Edhe pse shtetet anëtare të BE-së kanë të drejtën të përcaktojnë vetë kushtet për marrjen e nënshtetësisë, ato duhet të veprojnë në përputhje me të drejtën evropiane. Vendimi i GJED-së vendos një precedent të rëndësishëm për frenimin e skemave që favorizojnë pasurinë mbi integrimin real dhe mund të ndikojë në vendet e tjera që aplikojnë praktika të ngjashme.
Shtetësia, sipas gjyqtarëve të BE-së, nuk mund të jetë një produkt në shitje, por duhet të mbështetet mbi një lidhje të vërtetë mes individit dhe shtetit, e shoqëruar me detyrime, të drejta dhe përfshirje reale në jetën qytetare.
Ky vendim pritet të rrisë presionin mbi vendet që kanë praktikuar skema të ngjashme me Maltën dhe të forcojë përpjekjet për ruajtjen e integritetit të nënshtetësisë brenda Bashkimit Evropian.







