Pas një beteje të gjatë ligjore dhe presioni nga shoqëria civile, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) ka vendosur kundër programit maltez të “pasaportave të arta”, duke e cilësuar atë si një “transaksion të thjeshtë tregtar” dhe të papajtueshëm me parimet e Bashkimit Evropian.
Aktivisti anti-korrupsion Manuel Delia, drejtues i organizatës Repubblika dhe mik i gazetares së ndjerë Daphne Caruana Galizia, e përshëndeti vendimin si një fitore për drejtësinë dhe vlerat e solidaritetit evropian. “Shtetësia nuk mund të shitet. Është shumë më e vlefshme se paratë,” deklaroi Delia për Deutsche Welle.
Programi i kritikuar i qeverisë malteze u lejonte investitorëve të huaj të blinin shtetësinë në këmbim të investimeve në pasuri të paluajtshme. Ndërkohë që Bullgaria dhe Qiproja e kishin mbyllur prej kohësh këtë skemë, Malta mbeti vendi i fundit në BE që vazhdonte me praktika të tilla. Por GJED vendosi më 29 prill se kjo shkelte besimin e ndërsjellë mes shteteve anëtare të BE-së.
Të dhëna të siguruara nga Fondacioni Daphne Caruana Galizia zbuluan se 9 nga 10 përfitues të vizave të arta ishin shtetas kinezë, shumë prej të cilëve nuk banonin realisht në Maltë.
Kryeministri maltez Robert Abela deklaroi se do ta ripërpunojë sistemin për ta përshtatur me vendimin e gjykatës, ndërsa mbrojti programin si një burim të ardhurash me vlerë mbi 1.4 miliardë euro për vendin.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka paralajmëruar se skema të tilla mund të rrisin rrezikun për pastrim parash, korrupsion dhe evazion fiskal. Organizata Transparency International dhe Parlamenti Evropian kanë kërkuar standarde të përbashkëta dhe kontrolle më të forta për programet “rezidencë me investim”.
Delia përmbylli reagimin e tij duke theksuar se shtetësia është një marrëdhënie besimi mes individit dhe shtetit: “Kur i vendos një çmim kësaj marrëdhënieje, ti e nëpërkëmb vetë parimin mbi të cilin ajo qëndron.”









