Gjykata e Lartë në Tajlandë ka vendosur që ish-kryeministri Thaksin Shinawatra të vuajë një vit burg. Një tjetër goditje kjo për dinastinë e fuqishme politike që ka dominuar vendin për më shumë se dy dekada.
Vendimi lidhet me një çështje të mëparshme, ku Thaksin u dënua me tetë vite burg për korrupsion dhe abuzim me pushtetin, por pas kërkesës për falje mbretërore, dënimi iu ul në vetëm një vit. Megjithatë, në gusht 2023 ai kaloi vetëm disa orë në qeli, përpara se të transferohej në një repart luksoz të spitalit të Policisë në Bangkok, me pretendimin e problemeve kardiake. Atje qëndroi gjashtë muaj, më pas përfitoi nga lirimi me kusht dhe u kthye në shtëpi.
Të martën, Gjykata e Lartë vendosi se transferimi i tij në spital ishte i paligjshëm. Një nga gjyqtarët deklaroi se Thaksin, edhe pse kishte probleme kronike shëndetësore, mund të trajtohej si pacient ambulator dhe nuk kishte qenë në gjendje kritike. Ky vendim pritet ta rikthejë 76-vjeçarin pas hekurave.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Thaksin publikoi një deklaratë në rrjetet sociale, ku theksoi: “Edhe pse humbas lirinë fizike, unë do të ruaj lirinë e mendimit për të mirën e vendit dhe popullit tim”. Ai shtoi se do të vazhdojë të qëndrojë i fortë në shërbim të monarkisë, Tajlandës dhe qytetarëve.
Thaksin, i zgjedhur për herë të parë kryeministër në vitin 2001, u rrëzua nga pushteti nëpërmjet një grushti shteti ushtarak në vitin 2006 dhe jetoi për shumë vite në mërgim, kryesisht në Dubai. Ai është një figurë që ndan thellësisht politikën tajlandeze, duke ruajtur një bazë të fuqishme mbështetjeje, veçanërisht mes klasës punëtore dhe fermerëve.
Vendimi i fundit vjen në një moment krize të re politike në Tajlandë. Vajza e tij, Paetongtarn Shinawatra, u shkarkua muajin e kaluar nga posti i kryeministres pas një skandali që shpërtheu nga publikimi i një telefonate me ish-kryeministrin e Kamboxhias, Hun Sen. Ajo deklaroi pas vendimit të Gjykatës se familja është e shqetësuar për shëndetin e të atit, por mbetet me moral të lartë, ndërsa Pheu Thai, partia e drejtuar prej saj, do të vazhdojë punën si forca kryesore opozitare në vend.
Ky zhvillim ka ringjallur debatet e brendshme mbi drejtësinë dhe trajtimin e figurave të fuqishme në Tajlandë, ku shumë qytetarë akuzojnë sistemin për favorizimin e elitave politike dhe ekonomike.