Gjykata Supreme e SHBA-së ka pezulluar një urdhër gjyqësor që ndalonte planin e Presidentit Donald Trump për shpërbërjen e Departamentit të Arsimit, duke i dhënë administratës “dritën jeshile” për të nisur shkarkimin e rreth 1,400 punonjësve. Ky vendim, i mbështetur nga shumica konservatore e gjykatës, i mundëson Trump-it të përmbushë një nga premtimet kryesore të fushatës së tij, duke transferuar kompetencat arsimore nga niveli federal te shtetet. Tre gjyqtaret liberale e kundërshtuan vendimin, duke e cilësuar si një veprim të rrezikshëm dhe jashtëligjor.
Kritikët e planit paralajmërojnë se shkurtimet do të paralizojnë shërbimet arsimore dhe do të godasin drejtpërdrejt familjet me të ardhura të ulëta. Sekretarja e Arsimit, Linda McMahon, e quajti ndërhyrjen e Gjykatës së Lartë një “fitore për autoritetin ekzekutiv”. Ndërkohë, grupet arsimore në Massachusetts njoftuan se padia do të vazhdojë, ndërsa organizatat progresiste e dënuan vendimin si një “goditje shkatërruese për arsimin publik në SHBA”. Ky është vendimi më i fundit në një seri fitoresh që Trump ka marrë në përpjekjet për të riformësuar qeverinë federale përmes Gjykatës së Lartë.







