FLASH :

Gjurmë të reja tronditëse në dosjen Madeleine McCann: Një hard disk i varrosur në strofkën e braktisur të Christian Brueckner mund të dëshmojë se vajza është e vdekur

Hetimi për zhdukjen e Madeleine McCann ka marrë një kthesë tronditëse pas zbulimit të një hard disku në strofkën e braktisur të të dyshuarit kryesor, Christian Brueckner, në Gjermani.

Madeleine ishte vetëm tre vjeçe kur u zhduk në vitin 2007 nga resorti turistik Praia da Luz në Algarve, Portugali, teksa ndodhej me prindërit e saj, Kate dhe Gerry McCann, dhe dy motrat. Zbulimet e reja, të publikuara në një investigim të The Sun, nxjerrin në pah fiksimet shqetësuese të Brueckner dhe përforcojnë dyshimet se ai mund të ketë qenë i përfshirë në rrëmbimin dhe vdekjen e vajzës së vogël.

Zbulimi makabër i vitit 2016

Në vitin 2016, policia gjermane gjeti të fshehura nën trupin e qenit të ngordhur të Bruecknerit në një fabrikë të braktisur në Neuwegersleben disa USB dhe karta memorjeje me mijëra skedarë. Përmbajtja përfshinte imazhe të abuzimit me fëmijë, histori të fantazive për rrëmbime vajzash të mitura dhe biseda në Skype me pedofilë të tjerë. Një nga historitë përshkruante drogimin e një nëne dhe vajzës së saj para një çerdheje, dhe abuzimin me një vajzë bionde katërvjeçare.

Hetuesit thonë se këto materiale përforcojnë dyshimet se Brueckner jo vetëm që ka pasur lidhje me zhdukjen e Madeleine-it, por mund të ketë qenë autor i vrasjes së saj.

Fakte të tjera alarmante

Kontrolli i zonës zbuloi më shumë se 75 kostume noti për fëmijë, lodra, biçikleta të vogla dhe maska. U gjetën gjithashtu tre armë pa leje dhe municione, së bashku me shishe që përmbanin substanca të dyshuara si kloroform apo eter të përdorura zakonisht në rrëmbime.

Një sistem navigimi satelitor (GPS) ka gjurmuar lëvizjet e Bruecknerit në Algarve, përfshirë zonën e Digës Arade rreth 55 kilometra nga vendi ku u zhduk Madeleine.

Një hard disk që përmban foto të bëra në Portugali besohet të ketë luajtur një rol kyç në bindjen e hetuesve se Madeleine ka vdekur pak pas zhdukjes së saj, në maj 2007. Për më tepër, një dokument sigurimi i firmosur nga Brueckner tregon se ai ndodhej në një festival në Orgiva të Spanjës në prill 2008, ku thuhet se i ka rrëfyer një shoku se “Madeleine nuk bërtiti.”

Asnjë akuzë zyrtare, pavarësisht provave

Megjithëse provat janë të shumta dhe tronditëse, autoritetet gjermane nuk e kanë akuzuar ende zyrtarisht Bruecknerin për zhdukjen e Madeleine McCann. Ai aktualisht po vuan një dënim me shtatë vite burg për përdhunimin e një gruaje amerikane në Algarve, një vit para zhdukjes së Madeleine-it. Ai pritet të lirohet më vonë gjatë këtij viti.

Prokurorët gjermanë po presin një vendim përfundimtar mbi shpalljen e tij të pafajshëm në një çështje tjetër abuzimi seksual përpara se të vendosin për apelimin. Avokatët e tij i thanë MailOnline se “ka vetëm 10% gjasa që të suksedojë.”

Financimi për hetimin zvogëlohet

Muajin e kaluar, MailOnline raportoi se buxheti për hetimin britanik mbi zhdukjen e Madeleine McCann është shkurtuar ndjeshëm. Operacioni Grange i ngritur nga Policia Metropolitane për të hetuar zhdukjen ka marrë vetëm 108 mijë paund këtë vit, një ulje prej 84 mijë paundësh krahasuar me vitin e kaluar. Në total, Operacioni Grange ka shpenzuar rreth 13.5 milionë paund, duke ngritur pyetje për vijueshmërinë e tij, pasi deri më tani nuk është bërë asnjë arrestim apo akuzë zyrtare.

Financimi vjen nga një fond i posaçëm i Ministrisë së Brendshme britanike dhe rishikohet çdo vit.

Javën e kaluar u shënua 18-vjetori i zhdukjes së Madeleine McCann dhe njëherësh ditëlindja e saj e 22-të. Por pavarësisht viteve hetim dhe zbulimeve të shumta, një përgjigje përfundimtare për fatin e saj ende mungon.