FLASH :

Gjobat “fantazmë” të Policisë së Prodës po zhvatin xhepat e qytetarëve

Në Shqipëri po konsolidohet një praktikë e rrezikshme dhe thellësisht e padrejtë: Policia Rrugore gjobit qytetarët pa i njoftuar. Mijëra shqiptarë e kanë mësuar këtë në mënyrën më absurde të mundshme – vetëm kur futen rastësisht në aplikacionin e-Albania, për të marrë një dokument apo për të kryer një shërbim tjetër, zbulojnë se janë të gjobitur. Nuk e dinë pse, kur, nga kush apo si mund të reagojnë.


Ata mund të jenë gjobitur qoftë padrejtësisht, apo edhe për ndonjë shkelje të mundshme, si tejkalim shpejtësie, mos vënie e rripit të sigurimit, e kështu me radhë, por nuk kanë marrë dijeni në asnjë formë për këtë gjobitje.
Ky fenomen po kthehet në një formë të re abuzimi administrativ dhe një ilustrim i qartë se si dixhitalizimi, në mungesë transparence dhe respekti për qytetarin, mund të shndërrohet nga progres teknologjik në mjet shtypës.


Gjobat “fantazmë” në një vend ku informacioni nuk qarkullon
Qytetari shqiptar nuk merr asnjë njoftim zyrtar – as me postë, as me email, as me SMS. Gjobat hidhen në sistem dhe qëndrojnë aty, derisa dikush të ketë nevojë për një dokument dhe të përballet me ndalimin për ta marrë pa shlyer gjobën. Në këtë pikë, nuk ka më as kohë, as mekanizëm për të sqaruar, kundërshtuar apo apeluar.
Kësaj i shtohet edhe kamata mbi gjobën e pa paguar, për shkak se qytetari nuk dijeni.
Policia Rrugore dhe strukturat përkatëse veprojnë me supozimin absurd se të gjithë qytetarët duhet të hyjnë rregullisht në e-Albania për të kontrolluar nëse janë dënuar për diçka. Një sjellje absurde, e pajustifikueshme në një vend që pretendon të ndjekë standarde europiane të administrimit.


Çfarë ndodh në Gjermani? Një sistem që respekton qytetarin

Në Gjermani, nëse kryen një shkelje – qoftë për parkim të gabuar apo tejkalim shpejtësie – do të marrësh gjobën me postë, në adresën e regjistruar. Brenda zarfit ndodhet përshkrimi i shkeljes, vendi, data dhe ora, dhe kur është e nevojshme, foto si provë. Po ashtu, përfshihet afati për pagesë ose për të paraqitur ankesë, një numër kontakti dhe adresë për reagim.
Ky është standardi i një shteti serioz, që e njeh qytetarin si palë të barabartë në proces – jo si objekt të ndëshkimit të njëanshëm, siç ndodh aktualisht në Shqipëri.


Në Shqipëri, heshtja barazohet me faj
Praktika aktuale bie ndesh me parimet themelore të të drejtës administrative. Një qytetar nuk mund të ndëshkohet pa u njoftuar. Nuk mund të mbahet përgjegjës për një akt që nuk i është komunikuar dhe për të cilin nuk i është dhënë mundësia të kundërshtojë.
Ky mekanizëm i “gjobave të padukshme”, i vendosur kryesisht nga Policia Rrugore, është jo vetëm i paqartë në origjinë, por edhe i dyshimtë në përmbajtje. Shumë qytetarë raportojnë për gjoba që nuk i kanë marrë kurrë, për shkelje që nuk janë dokumentuar, dhe për mungesë të plotë informacioni mbi institucionin apo punonjësin që e ka vendosur.