FLASH :

GJKKO refuzon garancinë pasurore, lë në burg Erion Veliajn! SPAK: S’ka ndryshim kushtesh për zbutje mase

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë rrëzon kërkesën e Erion Veliajt për lirim nga qelia me garanci pasurore. SPAK paraqiti informacionin dy mujor për hetimet, ku deklaroi se gjatë dy muajve të fundit janë kryer 82 veprime hetimore. Ndërkohë, për rastin Veliaj, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi edhe kërkesën për heqjen e sekuestros mbi një apartament pranë rezidencës ku ai banon. Sipas SPAK-ut, apartamenti në fjalë konsiderohet pasuri e fshehur.  Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë ka njoftuar datën kur do të shqyrtohet kërkesa e kryebashkiakut për ndryshimin e masës së sigurisë.


Gjykata e Posaçme rrëzoi sot kërkesën për lirim nga qelia të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Në seancën me dyer të mbyllura, ku SPAK paraqiti raportin mbi ecurinë dy mujore të hetimeve, përfaqësuesit e akuzës pohuan se janë kryer 82 veprime hetimore.

Sipas Prokurorisë, nuk ekziston ndonjë ndryshim i kushteve që të justifikojë zbutjen e masës së sigurisë, si për Veliajn, ashtu edhe për biznesmenin Elman Abule, i cili mbahet në arrest shtëpie. Si rrjedhojë, GJKKO vendosi për vijimin e masave aktuale.

Avokatët e Veliajt kërkuan lirimin e tij në këmbim të një garancie pasurore, ndërsa për Abulen u kërkua masa e “detyrimit për paraqitje”.

Po këtë të martë, Gjykata e Posaçme e Apelit miratoi gjithashtu vendimin e Shkallës së Parë për sekuestrimin e apartamentit në pronësi të kompanisë “Agikons”, i cili dyshohet si pasuri e fshehur dhe që, sipas SPAK, përdorej nga çifti Erion Veliaj – Ajola Xoxa.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka caktuar datën 8 korrik, ora 12:00, për shqyrtimin e rekursit të Veliajt në lidhje me masën e sigurisë. Trupa gjykuese përbëhet nga tre anëtarë, me relatore gjyqtaren Albana Boksi, ndërsa Medi Bici dhe Sokol Binaj janë anëtarë. Rekursi do të shqyrtohet në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve.

Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës së Lartë, çështja do të trajtohet me procedurë të përshpejtuar, duke u konsideruar si një çështje me prioritet.

Erion Veliaj mbahet në burg që prej datës 10 shkurt, nën akuzat për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Pas arrestimit, atij iu komunikua edhe një hetim tjetër për futje të sendeve të paligjshme në qeli dhe mosdeklarim pasurie. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, po ashtu është nën hetim për tre vepra penale dhe ndaj saj është caktuar masa e “detyrimit për paraqitje”.