FLASH :

Gjirokastër – Policia dhe zjarrfikësit shpëtojnë 3 qytetarë të bllokuar në malin e Ndëranit

Gjirokastër– Një operacion i shpejtë i Policisë dhe shërbimeve zjarrfikëse ka bërë të mundur shpëtimin e tre qytetarëve që kishin mbetur të bllokuar në malin mbi fshatin Ndëran, njësia administrative Zagori.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë eksplorimit të zonës një 70-vjeçar kishte rënë në një përrua dhe nuk mundej të lëvizte, duke bërë që miqtë e tij të mbeteshin të izoluar.

Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, të Stacionit të Policisë Dropull–Libohovë, në bashkëpunim me zjarrfikësit, emergjencat civile dhe një ekip mjekësor, u nisën drejt zonës. I moshuari u nxor nga përrua në gjendje të mirë shëndetësore, iu dha ndihma e parë dhe më pas u transportua në Spitalin Rajonal Gjirokastër për trajtim të mëtejshëm.

Tre shtetasit falënderuan autoritetet për ndërhyrjen e shpejtë dhe për humanizmin e treguar, duke theksuar se ndihma erdhi në kohë rekord.

Policia e qarkut Gjirokastër siguroi qytetarët dhe turistët se është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë dhe i ftoi që, në raste emergjencash, të telefonojnë pa pagesë në 112.