Sot, rreth orës 09:30, në kryqëzimin e ‘Urës së Kardhiqit’, në aksin rrugor Sarandë-Gjirokastër-Tepelenë, ka ndodhur një aksident i rëndë mes një autoambulance dhe një automjeti tip BMW, me pasojë plagosjen e tre personave.
Autoambulanca me targa AB220AT, me drejtues shtetasin Gj. Sh., po transportonte pacientin I. M. drejt Reanimacionit të Spitalit të Gjirokastrës, së bashku me shoqëruesen dhe infermieren që ndodheshin në mjet. Automjeti tip BMW me targa TR8732L, me drejtues shtetasin D. K., i ka prerë rrugën autoambulancës, duke shkaktuar përplasjen e fortë. Si pasojë, autoambulanca ka dalë jashtë rrugës, ndërsa makina ka pësuar dëmtime në pjesën e përparme.
Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar drejtuesit e të dy mjeteve, pacienti, shoqëruesja dhe infermierja e autoambulancës, si dhe një pasagjere në makinën tjetër.
Të dëmtuarit janë nën kujdesin e mjekëve. Pacienti I. M. ndodhet në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërsa të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në këtë aksident tragjik.