FLASH :

Gjimshiti lëndohet ndaj Milanit, Silvinjo në ankth për përballjen me Serbinë

Nuk kanë të sosur telashet për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti. Në minutën e 59-të të sfidës mes Milanit dhe Atalantës, kapiteni kuqezi u detyrua të braktiste fushën për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës së djathtë, duke ngritur menjëherë alarmin si për klubin ashtu edhe për Kombëtaren.

Atalanta ka konfirmuar se bëhet fjalë për një ndrydhje, ndërsa gjendja e tij do të vlerësohet nga stafi mjekësor në orët në vijim për të përcaktuar kohën e rikuperimit. Humbja e Gjimshitit përbën një goditje të madhe për skuadrën bergamaske në këtë fazë të rëndësishme të sezonit, ndërsa për Kombëtaren shqiptare, dëmtimi vjen vetëm pak javë para ndeshjes tepër të rëndësishme ndaj Serbisë, më 7 qershor.

Trajneri Silvinjo shpreson të ketë në dispozicion liderin e mbrojtjes, i cili është një ndër pikat kyçe të formacionit kuqezi. Mungesa e tij në këtë duel delikat do të ishte një boshllëk i madh, sidomos duke pasur parasysh formën e mirë të shfaqur këtë sezon në Serinë A: 28 paraqitje, 1 gol dhe 2 asiste.

Tani gjithçka varet nga rezultatet e ekzaminimeve mjekësore. Kombëtarja dhe Atalanta mbajnë frymën pezull.