Në gjimnazin “Kolë Idromeno” në Shkodër ka përfunduar investimi me mbështetjen e buxhetit të shtetit.
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në rrjetet sociale pamje se si ishte dhe si është transformuar godina e shkollës së mesme që përfshiu rikonstruksionin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme për të ofruar kushte bashkëkohore në shërbim të rreth 400 nxënësve, mësuesve dhe gjithë komunitetit.
Rama thekson se gjimnazi “Kolë Idromeno” ka tashmë hapësira të rinovuara dhe infrastrukturë moderne, nga laboratorët inteligjentë te terrenet për aktivitete sportive, arte dhe zeje.
Ai nënvizon se ky investim ruan elementet lokale të qytetit dhe rikthen dinjitetin e emrit të piktorit dhe arkitektit të shquar që mban.
Investimi përfshiu rinovimin e instalimeve elektrike, hidraulike, sistemit të kondicionimit, aksesueshmërisë për nxënësit me aftësi ndryshe, si dhe mobilim të ri, të përshtatur me imazhin modern të shkollës.









