Ndërsa Shqipëria përballet me një krizë gjithnjë e më të thellë të mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar, vendet e Bashkimit Europian – me Gjermaninë në krye – po përthithin mijëra profesionistë shqiptarë përmes lejeve të posaçme pune të njohura si Karta Blu. Sipas të dhënave të Eurostat, mijëra shqiptarë me arsim të lartë dhe profesion të kërkuar janë larguar për të ndërtuar karrierë në vendet e BE-së, të joshur nga pagat shumë më të larta dhe kushtet e favorshme të jetesës.
Eksodi i trurit: nga Tirana në Berlin
Të dhënat tregojnë se nga viti 2019 deri në 2023-n, janë dhënë 3,495 Karta Blu për shtetas shqiptarë, krahasuar me vetëm 15 leje të tilla në vitin 2012. Rritja ka qenë dramatike, me kulmin në vitin 2021 kur 882 shqiptarë morën këtë leje pune, kryesisht falë hapjes së tregut gjerman.
Në vitin 2023, Gjermania lëshoi 716 Karta Blu për shqiptarët, ose 87% të totalit të BE-së për këtë kategori. Pas saj vijnë Italia, Austria, Polonia, Belgjika, Franca dhe Luksemburgu, por me shifra shumë më modeste.
Kush përfiton Kartën Blu?
Për të marrë një Kartë Blu në Gjermani, aplikantët shqiptarë duhet të kenë:
- Diplomë universitare dhe kontratë pune në një profesion të kërkuar
- Pagë vjetore minimumi 43,000 euro (rreth 3,600 euro/muaj)
- Profesione me prioritet: teknologji, inxhinieri, mjekësi, IT, financë dhe kërkim shkencor
Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, në nivel europian, Indasit janë përfituesit më të mëdhenj të Kartës Blu, ndjekur nga rusët, turqit dhe bjellorusët.
Shqipëria humb profesionistët, BE fiton talente
Me një treg të brendshëm që nuk ofron paga konkurruese, siguri pune dhe kushte të denja, shumica e profesionistëve të rinj po zgjedhin largimin si rrugën më të shpejtë drejt zhvillimit personal dhe profesional.
Nga mjekët dhe inxhinierët, te programuesit dhe kërkuesit shkencorë – Shqipëria po sheh një rrjedhje të vazhdueshme të trurit, që po e lë vendin me mungesa kritike në sektorët më jetikë.
Çfarë është Karta Blu e BE-së?
Karta Blu është një leje pune dhe qëndrimi për shtetas jo të BE-së, e krijuar për të tërhequr profesionistë të kualifikuar drejt vendeve europiane që përballen me mungesë të fuqisë punëtore. Përfituesit e Kartës Blu marrin të drejtën për:
- Punësim të qëndrueshëm në një vend të BE-së
- Bashkim familjar dhe të drejtë qëndrimi për familjarët
- Lëvizje të lirë brenda BE-së dhe mundësi për qëndrim afatgjatë
Në një kohë kur Shqipëria ka më shumë se kurrë nevojë për ekspertizë dhe zhvillim të brendshëm, Evropa po ofron një alternativë të parezistueshme për profesionistët shqiptarë: paga të larta, stabilitet dhe një jetë më të mirë. Dhe Shqipëria, siç duket, nuk po bën shumë për t’i ndalur.
