Kufizimi i rrezes së veprimit për armët që Gjermania i ofron Ukrainës është diskutuar gjatë. Tani, kancelari Friedrich Merz e ka hequr këtë kufizim. Kremlini reagoi menjëherë.
Në një kohë kur përpjekjet për arritjen e paqes po duken të pasuksesshme dhe sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhdojnë, kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) deklaroi të hënën (26.05) se nuk do të ketë më kufizime për rrezen e veprimit të armëve që dërgohen nga Gjermania në Ukrainë. “Nuk ka më kufizime në rrezen e veprimit për armët me të cilat furnizohet Ukraina — as nga britanikët, as nga francezët, as nga ne, as nga amerikanët,” tha Merz gjatë Europaforum-it të WDR.
“Rusia sulmon pa mëshirë objektiva civile dhe bombardon qytete,” tha Merz. “Ukraina nuk po e bën këtë, dhe kjo duhet të mbetet kështu. Por një vend që përballet me një agresor vetëm brenda territorit të vet nuk po mbrohet dot në mënyrë të mjaftueshme.”
Asnjë fjalë për raketat Taurus
Në fillim të luftës pas agresionit rus, Perëndimi nuk e furnizoi Ukrainën me armë me rreze të gjatë veprimi, me qëllim shmangien e përshkallëzimit të konfliktit. Ndërkohë, Britania e Madhe dhe Franca i kanë furnizuar Kievit me raketat Storm Shadow/Scalp. Në Gjermani, debati është përqendruar kryesisht rreth raketave Taurus, të cilat kanë një rreze veprimi prej 500 kilometrash. Në Forumin Evropian, Merz nuk e përmendi në mënyrë të qartë llojin e armës, por qeveria e re federale ka bërë të ditur se për arsye strategjike nuk do të komentojë më në detaje për dërgesat e armëve në Ukrainë. Sipas informacioneve të deritanishme, raketat Taurus ende nuk janë dërguar.
Reagime të përziera në politikën gjermane
Deklaratat e Merz-it u pritën me reagime të përziera në politikën gjermane. Deputetja e Partisë së Gjelbër, Agnieszka Brugger, e mirëpriti qëndrimin e Merz-it në portalin gjerman RND si “logjik dhe të vonuar prej kohësh”. Ajo kërkoi që Ukrainës t’i jepen tani edhe raketat Taurus, të cilat i ka kërkuar prej kohësh. Ndërkohë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Majtë, Sören Pellmann, e dënoi luftën agresore të Rusisë, por ngriti shqetësimin se “dorëzimi i armëve gjithnjë e më të rënda nuk i ka dhënë fund luftës”. Fakti që tani nuk ka më kufizime për rrezen e veprimit të armëve që dërgohen në Ukrainë mund të “çojë në përshkallëzim të mëtejshëm”.
Reagimi i Kremlinit
Rusia i dënoi ashpër deklaratat e kancelarit Merz. Kremlini tha se dërgimi i armëve me rreze të gjatë veprimi do të ishte një hap i rrezikshëm. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se kjo “bie ndesh me përpjekjet e Moskës për të gjetur një zgjidhje politike”. Nga ana tjetër, vetëm të hënën në mbrëmje (26.05) u zhvilluan sulmet më të mëdha me dronë nga Rusia kundër Ukrainës që nga fillimi i luftës. Pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare, nuk ka asnjë shenjë nga pala ruse se do të braktisë kërkesat maksimale dhe të kërkojë një kompromis.
Gjermania i kundërpërgjigjet akuzave ruse
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i hodhi poshtë kritikat ruse. “Ka pasur disa kërkesa dhe mundësi që presidenti rus të ulet në tryezën e negociatave, por ai i ka refuzuar ato”, tha politikani i CDU-së gjatë një takimi me homologun e tij portugez, Paulo Rangel, në Lisbonë. “Ne gjithmonë e kemi bërë të qartë se kjo sjellje nuk do të kalojë pa pasoja”, shtoi Wadephul. Ai konfirmoi se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë ushtarakisht Ukrainën, “në mënyrë që ajo të mund të mbrohet dhe të parandalojë agresorin rus të vazhdojë me sukses luftën”.

