FLASH :

Gjermania drejt një kursi më të ashpër: Rregulla të reja për migracionin dhe kufizime për punëtorët nga Ballkani Perëndimor

Berlin, 9 prill 2025 – Tri partitë që pritet të formojnë qeverinë e re gjermane – Unioni Kristian-Demokrat (CDU), Partia Socialdemokrate (SPD) dhe Unioni Kristian-Social (CSU) – prezantuan sot marrëveshjen e tyre për koalicionin qeverisës. Dokumenti i bërë publik në Berlin parashikon reforma të thella ekonomike dhe sociale, por edhe një kthesë të dukshme drejt ashpërsimit të politikës së migracionit.

Ekonomi në recesion, masa të reja për lehtësimin e industrisë

Përballë recesionit që ka hyrë në vitin e tretë, qeveria e re synon të rikthejë rritjen ekonomike përmes uljes së taksave për sipërmarrjet, lehtësimit të tatimeve mbi energjinë dhe përjashtimit nga tatimi të orëve shtesë të punës. Një nismë tjetër e rëndësishme është “pensioni aktiv”, që do të lejojë pensionistët të punojnë pa barrë tatimore.

Po ashtu, për të reduktuar burokracinë dhe për të tërhequr investitorë të huaj, do të krijohet një Ministri e re e Digjitalizimit. “Pajisjet si faksi duhet të bëhen histori,” deklaroi bashkëkryetari i SPD-së, Lars Klingbeil.

Kurs i ri për migracionin: më pak ndihma, më shumë kontrolle

Marrëveshja përfshin masa të forta në fushën e migracionit: rikthimi i kontrolleve kufitare, pezullimi i programeve të pranimit vullnetar për refugjatët, dhe ndalimi i bashkimit familjar për refugjatët e luftës. Ndihmat sociale për ukrainasit që mbërrijnë në Gjermani nuk do të jepen automatikisht.

Gjithashtu, qeveria synon të rishikojë ligjin për shtetësinë, duke hequr mundësinë e marrjes së saj të përshpejtuar pas vetëm tre viteve qëndrimi.

Goditje për punëtorët nga Ballkani Perëndimor

Një nga pikat më të debatueshme të marrëveshjes është përgjysmimi i numrit të punëtorëve të pakualifikuar nga Ballkani Perëndimor që lejohen të hyjnë në Gjermani. Nga 50 mijë persona në vit, kjo kuotë do të reduktohet në 25 mijë. Masa vjen si reagim ndaj shqetësimeve të komunave për kostot e larta të mirëpritjes.

Ministria e Jashtme kalon në duart e CDU-së

Për herë të parë pas shumë dekadash, CDU do të drejtojë Ministrinë e Jashtme. Ndër emrat e përfolur është Johann David Wadephul, njohës i thellë i Ballkanit dhe nismëtar i grupit parlamentar për rajonin në Bundestag.

Procesi i Berlinit mbetet në fuqi

Në planin ndërkombëtar, marrëveshja riafirmon rëndësinë strategjike të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe të Ukrainës dhe Moldavisë, në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit, i nisur nga Angela Merkel, do të mbetet platforma kryesore për këtë qëllim.

Formimi i qeverisë së re pritet të përfundojë në fillim të majit, pas ratifikimit të marrëveshjes nga anëtarësit e tri partive.