FLASH :

Gjermania dërgon brigadë të përhershme tankesh në Lituani: 5000 trupa për të mbrojtur krahun lindor të NATO-s

Një zhvillim historik po ndodh në kuadër të mbrojtjes europiane: Gjermania ka dislokuar për herë të parë një brigadë të përhershme ushtarake jashtë vendit, konkretisht në Lituani. Më 1 prill, në kryeqytetin Vilna, u aktivizua zyrtarisht brigada e 45-të e tankeve, e cila përbëhet nga rreth 5,000 ushtare dhe ushtarë gjermanë. Ky vendim përbën një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj kërcënimit që paraqet Rusia pas agresionit të saj ndaj Ukrainës.

Brigada e re është një shtesë në strukturën e Bundeswehr-it, duke e çuar në nëntë numrin total të brigadave gjermane. E vendosur përherë në territorin e Lituanisë, kjo njësi është një precedent i ri për ushtrinë gjermane. Për të simbolizuar bashkëpunimin midis dy vendeve, në uniformat e ushtarëve është përfshirë edhe simboli i Vilnës – Kulla e Gediminës.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, deklaroi se vendosja e brigadës është një “sinjal i fortë për partnerët tanë dhe një paralajmërim i qartë për çdo kundërshtar të mundshëm”, duke theksuar se Gjermania është gati të mbrojë çdo centimetër të territorit të NATO-s.

Infrastrukturë e re ushtarake dhe sfida për personelin

Aktualisht, në bazën ushtarake Rudninkai janë vendosur shtabi dhe njësitë e para ndihmëse. Deri në fund të vitit pritet të jenë të dislokuar 500 trupa, ndërsa brigada do të jetë plotësisht funksionale deri në fund të vitit 2027. Për të përballuar këtë operacion, në Lituani po ndërtohen kazermat, rrugë të reja dhe një segment i zgjatur hekurudhor. Gjithashtu, në qytetet Vilna dhe Kaunas po ngrihen shkolla dhe kopshte për familjet e ushtarakëve.

Lituania, e cila ndodhet mes Kaliningradit rus dhe aleatit të Moskës, Bjellorusisë, po forcon gjithashtu kapacitetet e saj me 44 tanke Leopard 2 A8 të prodhimit gjerman – të njëjtin model që do të përdorë edhe Bundeswehr-i.

Ligj i ri për të tërhequr personelin

Një nga sfidat kryesore mbetet rekrutimi i rreth 4,800 ushtarëve dhe 200 punonjësve civilë për këtë mision të përhershëm. Për ta bërë më tërheqës shërbimin në frontin lindor, në fillim të vitit Bundestagu miratoi një ligj të ri që ofron paga më të larta dhe kushte më të mira për personelin ushtarak – i njohur si “Neni ligjor pikë-kthesë”.

Marrëveshje e veçantë mes dy qeverive

Bazë ligjore për këtë dislokim është një marrëveshje qeveritare e firmosur në shtator 2024 mes Berlinit dhe Vilnës. Sipas saj, Gjermania mund të përdorë pa qira objektet lituaneze, të depozitojë armatime dhe të hapë zyra postare, shkolla dhe kopshte në gjuhën gjermane për familjet e trupave.

Gjermania është e pranishme në Lituani që prej vitit 2017 në kuadër të grupit të përbashkët të NATO-s, por ky dislokim i përhershëm i jep një dimension të ri angazhimit të saj ushtarak në mbrojtje të aleatëve lindorë.