FLASH :

“Gjenerata që po i thotë ‘jo’ alkoolit”: Si Gen Z po ndryshon kulturën e konsumit dhe çfarë do të thotë kjo për të ardhmen

Në një kohë kur imazhi i të rinjve me gotën në dorë ishte thuajse universal, Gjenerata Z po përmbys pritshmëritë. Të lindur mes viteve 1997 dhe 2012 nuk po pinë si brezat e mëparshëm. Të dhënat e publikuara nga Byroja Amerikane e Statistikave të Punës flasin qartë: Boomers shpenzojnë mbi 25 miliardë dollarë në vit për pije alkoolike, ndërsa Generation X dhe Millennials rreth 23 miliardë. Ndërkohë, Gen Z? Vetëm 3.13 miliardë dollarë. Një diferencë që nuk mund të justifikohet vetëm me moshën.

Në rrënjët e kësaj rënieje qëndron një ndryshim thelbësor në mënyrën si të rinjtë e sotëm i konceptojnë marrëdhëniet, argëtimin, dhe vetë idenë e “të qenit mirë”. Nuk është më një akt rebelimi apo pjekurie të porosisësh një birrë. Në fakt, për shumë të rinj sot, përfshirja në një stil jetese pa alkool është më shumë një deklaratë për vetëdije, mirëqenie dhe kontroll personal. Gjenerata Z e lidh alkoolin me ankthin, depresionin, dhe shpesh me vendime të pakujdesshme që rrjedhin prej konsumit të tij. Një pjesë e madhe e tyre, mbi 45% sipas disa sondazheve, thjesht nuk pinë fare. Jo për shkak të ndalimeve ligjore, por sepse nuk e ndjejnë si pjesë të jetës së tyre.

Shifrat tregojnë se shqetësimi për shëndetin mendor është në qendër të këtij ndryshimi. Gati gjysma e të rinjve që shmangin alkoolin thonë se e bëjnë për të ruajtur balancën psikologjike. Për më tepër, ata që përfshihen në zakone të kontrolluara si “zebra striping”- alternimi i pijeve me alkool dhe pa alkool në të njëjtin event. Rritet kërkesa për mocktails, kombucha, pije artizanale jo-alkoolike dhe alternativa që nuk të lënë kokën të rëndë e llogarinë bosh.

Ekonomia luan gjithashtu një rol kyç. Gjenerata Z është gjenerata më e ngarkuar me borxhe studentore, me çmime të papërballueshme qirash dhe me perspektiva të paqarta punësimi. Në këtë kontekst, ideja e të shpenzuarit qindra dollarë në natë me gota alkooli e humb shpejt shkëlqimin. Një sondazh tregoi se 55% e të rinjve pendohen për shpenzimet që kanë bërë me alkool dhe 29% janë përballur me borxhe pikërisht prej tyre. Në këtë realitet, zgjedhja për të mos pirë nuk është vetëm një vendim etik apo shëndetësor, është edhe një akt ekonomik i vetëdijshëm.

Ky ndryshim po trondit themelet e industrisë globale të alkoolit. Markat tradicionale, nga birrat deri tek verërat luksoze, po përpiqen të përshtaten me shijen e një brezi që nuk është më i interesuar për imazhin klasik të “fun me gotën në dorë”. Disa marka kanë nisur të hedhin në treg produkte pa alkool, me zero sheqer dhe me dizajn që flet gjuhën vizuale të Gen Z.

A është ky ndryshim i përkohshëm, apo po përballemi me një transformim të pakthyeshëm kulturor?

Nga njëra anë, reduktimi i konsumit të alkoolit mund të sjellë pasoja pozitive madhore për shëndetin publik. Më pak aksidente rrugore, më pak dhunë në familje, më pak raste varësie. Një shoqëri me më shumë vetëdije për trupin dhe mendjen. Nga ana tjetër, lindin pyetje të reja. A do të zëvendësohet alkooli me substanca të tjera si marihuana, që gjithashtu po fiton terren mes të rinjve? A po i largohemi vërtet problemeve apo thjesht po i zëvendësojmë me forma të reja?

Megjithatë, ajo që po ndodh me Gen Z është një kthesë filozofike ndaj mënyrës si ne e kuptojmë mirëqenien, argëtimin dhe maturinë. Është një sinjal se kultura e “të zbrazurit shishen për t’u ndjerë të plotë” nuk funksionon më. Pozitive apo negative? Ndoshta është thjesht ndryshe. Dhe ndoshta, ndryshe është ajo që i duhej prej kohësh edhe kulturës sonë të konsumit!