Për dekada, shtetet e pasura të Gjirit janë parë si oaze stabiliteti në një rajon të trazuar, duke ngritur kryeqytete luksoze dhe duke tërhequr miliona punëtorë të huaj falë ekonomive të tyre të fuqishme. Por ky perceptim u thye këtë vit, pasi për herë të parë një vend i Gjirit u godit drejtpërdrejt nga dy fuqi rajonale: në qershor, Irani sulmoi një bazë amerikane në Katar, ndërsa këtë javë, Izraeli ndërmori një goditje ndaj drejtuesve politikë të Hamasit në Doha.
Katar ka premtuar një reagim “kolektiv” rajonal ndaj sulmit izraelit, duke njoftuar se vendimet do të diskutohen në një samit arab e islamik këtë fundjavë në Doha. Kryeministri Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani theksoi se konsultimet po vazhdojnë me vendet partnere.
Reagimet e para
Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, mbërriti në Doha më pak se 24 orë pas sulmit, përpara se të vizitonte Bahreinin dhe Omanin për të koordinuar një përgjigje të përbashkët. Ndërkohë, EBA thirri ambasadorin izraelit dhe e cilësoi sulmin si një akt “të turpshëm dhe të poshtër”.
Sipas analistëve, shtetet e Gjirit do të kërkojnë të shfaqin unitet politik dhe të frenojnë çdo sulm të ardhshëm izraelit, por opsionet ushtarake mbeten të pakta. Një nga skenarët është dobësimi i marrëdhënieve diplomatike të EBA me Izraelin dhe reduktimi i angazhimit në Marrëveshjet e Abrahamit. Katar, nga ana tjetër, paralajmëroi se do të ndjekë edhe rrugën ligjore, duke e çuar çështjen në arenën ndërkombëtare.
Siguria dhe mbrojtja
Ekspertët nënvizojnë se shtetet e Gjirit mund të aktivizojnë Forcën e Mburojës së Gadishullit, një pakt ushtarak i viteve ’80 për mbrojtjen e përbashkët. Kjo do të thotë krijimin e një komande të unifikuar, forcimin e mbrojtjes ajrore dhe raketore, si dhe kërkimin e garancive më të forta nga Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, disa prej tyre hezitojnë të prishin balancat me administratën Trump, e cila shihet si mbështetësja kryesore e Izraelit.
Opsionet ekonomike
Një tjetër mundësi është përdorimi i fondeve sovrane të Gjirit për të ushtruar presion ekonomik mbi Izraelin, duke bojkotuar kompani që kanë interesa të mëdha në ekonominë izraelite. Analistët theksojnë se investimet e mëdha të Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve në SHBA mund të ridrejtohen nëse kërcënimi ndaj sigurisë së rajonit vazhdon.
“Nëse sot nuk reagojmë, nesër mund të jenë kryeqytetet e tjera të Gjirit në shënjestër,” – paralajmëroi Bader Al-Saif, profesor në Universitetin e Kuvajtit.