Një fenomen alarmues po përhapet në shkollat britanike: përdorimi i drogës vdekjeprurëse ketaminë është bërë “rite kalimi” për shumë fëmijë. Ekspertët paralajmërojnë se substanca e njohur si “K” apo “Special K”, që më parë përdorej si anestezik për kafshë, po shndërrohet në drogën më të zakonshme mes adoleshentëve – madje edhe gjatë pushimit të drekës në shkollë.
Mark O’Hagan, drejtor i një gjimnazi katolik në Liverpool, tha se droga tashmë është pjesë e përditshmërisë tek nxënësit: “Para 6-7 vitesh nuk e njihnim ketaminën. Sot fëmijët e shohin si diçka normale, një sjellje që përjeton çdo adoleshent.”
Ketamina, që merret zakonisht në formë pluhuri përmes nuhatjes, jep ndjesinë e një gjendjeje ëndërrimtare, por dozat e larta shkaktojnë paralizë të përkohshme. Përdorimi i zgjatur dëmton kujtesën, organet jetësore dhe shëndetin mendor, por tek të rinjtë janë vënë re edhe probleme serioze urinare, përfshirë dhimbje gjatë urinimit, nevojë të shpeshtë për të urinuar apo prani gjaku në urinë.
Dr. Verity Sullivan, konsulente e shëndetit seksual, u shpreh se ka raste të konfirmuara të nxënësve që përdorin ketaminë gjatë pushimit të drekës: “E dëgjon shpesh shprehjen ‘e përdor pak ket ndonjëherë’, por në të vërtetë bëhet fjalë për përdorim të rregullt. Është tmerruese.”
Sipas Policisë së Merseyside, pasojat afatgjata për shëndetin janë nënvlerësuar. “Të rinjtë nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet – nga infeksionet urinare te problemet serioze organike”, tha komisionerja Emily Spurrell.
Një tjetër faktor shqetësues është ndikimi i TikTok: videot që banalizojnë efektet e ketaminës – përmes “ket walks” apo pamjeve të përdoruesve në “k-hole” – janë bërë virale. Ian Hamilton, profesor i varësive në Universitetin e York-ut, tha se përmbajtjet në rrjet kanë rritur përdorimin mes të rinjve: “Fenomenet virale që kanë përfunduar në vdekje, si sfidat ekstreme, ndodhin edhe me drogat.”
Sipas të dhënave më të fundit nga Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS), vdekjet nga ketamina janë rritur me 650% që nga viti 2015, duke arritur në 53 viktima vetëm në vitin 2023 – rreth një në javë. Droga është bërë e preferuara për grupmoshën 16-24 vjeç, shpesh më e lirë se kanabisi apo alkooli: vetëm 10 paund për gram.
Shitja online përmes aplikacioneve si Snapchat, ku mesazhet zhduken menjëherë, e ka bërë edhe më të lehtë qasjen e të rinjve tek kjo drogë.
Përdorimi i ketaminës në shkolla është një alarm shëndetësor, shoqëror dhe arsimor që kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet dhe komuniteti.



