FLASH :

Gazetarja kineze që denoncoi COVID-19 dënohet me 4 vite burg

Zhang Zhan, gazetarja qytetare që raportoi nga Wuhani për shpërthimin e hershëm të pandemisë COVID-19, është dënuar me edhe 4 vite të tjera burg, sipas organizatës Reporterët pa Kufij (RSF).

Zhang, 42 vjeç, ishte dënuar fillimisht në dhjetor 2020 me 4 vite burg për akuzën e përsëritur “ngatërresa dhe provokim telashesh”, pasi publikoi dëshmi dhe video nga spitalet e mbushura dhe rrugët bosh të Wuhanit – pamje që sfidonin versionin zyrtar të autoriteteve kineze. Pas lirimit në maj 2024, ajo u arrestua sërish vetëm tre muaj më vonë dhe u mbajt në qendrën e paraburgimit Pudong në Shangai.

RSF tha se dënimi i fundit lidhet me komentet e saj mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Kinë, të publikuara në faqe të huaja. Ish-avokati i saj, Ren Quanniu, deklaroi se akuzat janë të pabazuara dhe se Zhang po persekutohet thjesht për shkak të gazetarisë së saj.

Zhang ka qenë në grevë urie më herët, duke u ushqyer me forcë nga autoritetet nëpërmjet tubave, gjë që ngriti shqetësime ndërkombëtare për trajtimin e saj.

Ajo duhet të shpallet një ‘heroinë e informacionit’, jo të mbahet në kushte brutale burgu,” tha Aleksandra Bielakowska, menaxhere e RSF për rajonin Azi-Paqësor, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion ndaj Pekinit për lirimin e menjëhershëm të saj.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) e quajti procesin gjyqësor të Zhang “një akt të qartë persekutimi politik”, ndërsa theksoi se autoritetet kineze duhet të ndalojnë menjëherë ndalimet arbitrare të gazetarëve.

Sipas RSF, Kina është vendi me numrin më të madh të gazetarëve të burgosur në botë, me të paktën 124 gazetarë pas hekurave. Në Indeksin e Lirisë së Shtypit 2025, vendi u rendit i 178-ti nga 180 shtete.