Një shpërthim emocional dhe i pazakontë i një gazetari sportiv shqiptar ka bërë xhiron e rrjeteve sociale pas ndeshjes së dobët mes Shqipërisë dhe Letonisë, e cila përfundoi në barazim. I indinjuar nga loja pa shpirt dhe angazhim i lojtarëve kuqezi, gazetari shpërtheu me tone të larta, duke vënë në pikëpyetje vetë identitetin dhe përkushtimin e futbollistëve ndaj fanellës së kombëtares.
“A kanë gjak shqiptari këta?! Veshin këtë fanellë që është e shenjtë për miliona shqiptarë dhe e degjenerojnë!”, u dëgjua të thoshte ai me revoltë. “Ka djem të rinj në akademi që mezi presin ta veshin atë fanellë me zemër, dhe këta këtu, që dalin me intervista dhe justifikime, nuk kanë as guxim të thonë ‘nuk jam gati, nuk e meritoj’.”
Mes fjalëve të ngarkuara emocionalisht, gazetari shprehu zhgënjimin për mungesën e pasionit dhe krenarisë që, sipas tij, duhet ta karakterizojë çdo lojtar që përfaqëson ngjyrat kuqezi. “Dil si burrë e thuaj ‘nuk kam ç’të jap’, jo me intervista koti. Unë iki vëlla, se nuk kam çfarë të qaj më. Nuk dua të veshin fanellën një milionerë pa shpirt!”
Deklarata e tij ka ndezur një debat të madh publik, ku një pjesë e tifozëve janë ndjerë të përfaqësuar nga emocionet e gazetarit, ndërsa të tjerë kanë kërkuar qetësi dhe mbështetje për skuadrën. Por një gjë është e sigurt: zemërimi i këtij shpërthimi i dha zë zhgënjimit kolektiv që shumë shqiptarë ndjenë pas performancës së vakët të kombëtares.