FLASH :

Gati 600 mijë paund për vajzat e mbetura jetime pas përplasjes së avionit të Air India – Babai i tyre vdiq gjatë kthimit nga shpërndarja e hirit të nënës së tyre

Gati 600 mijë paund janë mbledhur për dy vajza të vogla që mbetën jetime, pasi babai i tyre humbi jetën në aksidentin tragjik të avionit Air India, teksa po kthehej në shtëpi nga India, ku kishte shkuar për të shpërndarë hirin e bashkëshortes së ndjerë.

Arjun Patoliya, 37 vjeç, ishte nisur për në Mbretërinë e Bashkuar me avionin Boeing 787 Dreamliner që fluturonte drejt Gatwick, pasi kishte kryer ceremoninë mortore të gruas së tij Bharti Patoliya, 43 vjeç, e cila kishte ndërruar jetë nga kanceri vetëm 18 ditë para përplasjes.

Me dashuri e përkushtim, ai udhëtoi drejt vendlindjes së saj në Gujarat për të përmbushur dëshirën e saj të fundit: të shpërndante hirin e saj në lumin e shenjtë Narmada, i cili konsiderohet i dyti për nga shenjtëria në Hinduizëm pas lumit Ganges.

Pasi kreu këtë ritual të fundit dhe disa rite të tjera mortore me të afërmit në një fshat rreth 240 km larg Ahmedabadit, Arjun ishte nisur të kthehej në Londër të enjten, për të qenë pranë dy vajzave të tij, 4 dhe 8 vjeç, që kishin mbetur në Angli.

Tragjikisht, ai humbi jetën kur fluturimi AI-171 u rrëzua pak minuta pas ngritjes, duke u përplasur me godina në zonën e populluar Meghani rreth orës 13:40 me orën lokale. Në bord ndodheshin 242 pasagjerë, përfshirë 53 shtetas britanikë.

Tani, dy vajzat janë pa prindër, brenda një periudhe tragjike prej vetëm 18 ditësh.

Kompania ku punonte Arjun, Inspired Elements Ltd, një firmë britanike e mobilieve të personalizuara, së bashku me familjen e tij, kanë hapur një faqe GoFundMe për të mbledhur fonde për vajzat.

Deri më tani janë mbledhur 574,454 paund, të cilat do të përdoren për t’u ofruar atyre:

  • një shtëpi të qëndrueshme e të sigurt,
  • arsimim të pandërprerë dhe mbështetje emocionale,
  • kujdes afatgjatë për mirëqenien e tyre
  • dhe një të ardhme me mundësi dhe dashuri.

Të gjitha fondet do të kalojnë në një trust ligjor ose te kujdestarët e emëruar, për të siguruar që çdo qindarkë të përdoret vetëm për nevojat e vajzave.

Në përshkrimin e fushatës, Arjun përshkruhet si “një pjesë e çmuar e ekipit tonë dhe mik i ngushtë familjar prej vitesh”.

Pasi kaluan objektivin fillestar prej 500 mijë paundësh, kompania dhe familja deklaruan dje:
“Jemi të prekur dhe thellësisht mirënjohës për bujarinë dhe mbështetjen që keni treguar. Forca e solidaritetit sjell shpresë në momentet më të vështira.”

“Vajzat e Arjun dhe Bharti po kujdesen aktualisht nga anëtarë të dashur të familjes, të cilët kanë qenë mbështetës të pandërprerë gjatë betejës së nënës së tyre me sëmundjen.”

“Çdo donacion i mëtejshëm ka një ndikim real në ndihmën për këto dy vajza të vogla që të përballojnë një rrugëtim të gjatë e të vështirë përpara. Ju falënderojmë nga zemra për gjithçka.”