FLASH :

Gara për kreun e ri të SPAK/ Anëtari i KLP-së kërkon votim të cilësuar, këshilli i Prokurorisë ndahet në dy kampe

Anëtari i KLP-së, Erind Mërkuri, ka kërkuar saktësimin e termit “shumica’ që vendos sipas rregullores drejtuesin e SPAK. Mërkuri, i zgjedhur vjet nga radhët e avokatëve, ka kërkuar ndërhyrjen e KLP mbi numrin e saktë të votave që certifikojnë kreun e ri të SPAK-ut, gjë e cila mund të sjellë në perspektivë votimin në disa raunde derisa të bëhet shumica e kërkuar.

Zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK-ut mund të krijojë probleme brenda Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili pas një jave hap garën për pasardhësin e Altin Dumanit.

Tre vjet më parë, në një proces të tensionuar, që arriti kulmin me replikat publike mes kryeministrit dhe ambasadores amerikane, zoti Dumani, mori shumicën e votave të KLP-së, 5 nga 11 të pranishëm.

Një proces që u krye në praninë e pazakontë të ambasadores amerikane të kohës, Yuri Kim. Por, pas gati tre vitesh, po vlerësohet që rregullorja për votimin e kryeprokurorit të radhës të rishikohet dhe dilema lidhet shpalljen si fitues të pretendentit që merr më shumë vota.

Gara hapet në 18 shtator dhe njëri nga anëtarët kërkon që rregullorja për mënyrën e votimit të jetë ndryshe.

Anëtari i KLP-së, Erind Mërkuri, ka kërkuar saktësimin e termit “shumica’ që vendos sipas rregullores drejtuesin e SPAK.

Media ka mësuar se zoti Mërkuri, i zgjedhur vjet nga radhët e avokatëve, ka kërkuar ndërhyrjen e KLP mbi numrin e saktë të votave që certifikojnë kreun e ri të SPAK-ut, gjë e cila mund të sjellë në perspektivë votimin në disa raunde derisa të bëhet shumica e kërkuar.

Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se ndonëse propozimi nuk është kaluar ende në seancë, ka krijuar ndarjet e para në KLP, që edhe pa këtë propozim, duhet të jetë nën presion të dukshëm dhe të padukshëm për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut.

Është shumë herët për të kuptuar se si do të zhvillohen debatet e hapura brenda KLP-së. Por e sigurtë është që institucioni më i rëndësishëm për sistemin e akuzës në Shqipëri, tani gjendet nën debatin, nëse duhet ndryshuar apo jo rregullorja mbi të cilën zhvillohet zgjedhja për drejtuesin e ri të SPAK-ut.

Kjo rregullore u miratua me ndryshime pas zgjedhjes së Dumanit dhe përcakton se kreu i SPAK-ut zgjidhet me shumicën e anëtarëve të KLP-së. Ndërsa kuorumi i detyrueshëm për mbledhje plenare është 7 anëtarë nga 11 gjithsej.

Zoti Mërkuri nuk pranoi të komentonte publikisht arsyet e propozimit të tij përpara se ta bënte këtë zyrtarisht në KLP. Si njohësi çështjeve kushtetuese, zoti Mërkuri ka përfaqësuar Kuvendin në Gjykatën Kushtetuese në procesin e nisur nga Partia Socialiste për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Lëvizjet në KLP-së në lidhje me zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK-ut duket se kanë rritur edhe interesin e diplomatëve më të lartë. Ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, ka patur një takim me kryetaren e KLP-së, Mirela Bogdani, takim për të cilin nuk ka shumë informacion.

Megjithatë, shumë gjëra do të qartësohen me afrimin e 18 dhjetorit, dita kur përfundon edhe mandati i drejtuesit aktual të SPAK-ut, Altin Dumani dhe kur ndërkohë do të kenë dalë në skenë kandidatët e tjerë. Por edhe do të jetë vendosur me sa vota zgjidhesh kryeprokuror i SPAK që thuhet se duhet harmonizuar me kushtetutën.