Galatasaray është futur seriozisht në garë për të siguruar shërbimet e mesfushorit shqiptar të Zvicrës, Granit Xhaka. Sipas Sky Sports, kampionët e Turqisë janë të gatshëm të bëjnë një ofertë konkrete për ta joshur Xhakën që të transferohet në Stamboll gjatë merkatos së verës.
Gazetarët Florian Plettenberg dhe Dennis Bayer raportojnë se tashmë ka pasur një takim mes përfaqësuesve të klubit turk, vetë Granit Xhakës, babait të tij dhe një ndërmjetësi që po negocion në emër të palëve. Kjo lë të kuptohet se interesimi është i avancuar dhe bisedimet kanë hyrë në një fazë serioze.
Granit Xhaka aktualisht është një nga figurat kyçe të Bayer Leverkusenit, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2028. Ai iu bashkua klubit gjerman në qershor të vitit 2023, pas një transferimi nga Arsenali për shumën e 15 milionë eurove. Performanca e tij këtë sezon ka qenë e jashtëzakonshme, duke qenë një nga liderët në fushë në suksesin historik të Leverkusenit në Bundesligë.
Kalimi i mundshëm te Galatasaray do të ishte një lëvizje e bujshme për klubin turk, që kërkon të përforcohet me emra të mëdhenj për sezonin e ardhshëm. Nëse bisedimet konkretizohen, Xhaka do të ishte një nga blerjet më të rëndësishme të verës në futbollin turk.