FLASH :

Futbollisti që shënoi në finalen e Wembley-t godet me karrige një grua në një sherr të turpshëm në Ibiza

Një video tronditëse nga Ibiza ka nxjerrë në pah sjelljen skandaloze të futbollistit anglez Kian Harratt, i cili është filmuar duke goditur me karrige një grua gjatë një sherri pranë pishinës në një hotel të mbushur me pushues britanikë. Siç zbulon MailOnline, sulmuesi i Oldham Athletic, vetëm tre javë pasi shënoi golin vendimtar në finalen e Wembley-t për t’i kthyer ekipit të tij vendin në League Two, është identifikuar si personi që hodhi karrigen në drejtim të një gruaje që po përpiqej të ndalonte përleshjen.

Videoja tregon momentin kur karrigia e godet gruan në fytyrë, duke e rrëzuar në tokë, ndërsa Harratt, i zhveshur nga beli lart, largohet nga skena. Ngjarja ndodhi në hotelin “Marco Polo” në San Antonio, ndërsa të pranishmit thanë se sherri nisi pasi pesë djem nisën të silleshin në mënyrë të pahijshme rreth pishinës, duke u hedhur topa grave dhe provokuar pushuesit. Njëri prej të përfshirëve në konflikt, Brandon Watkins nga Nuneaton, rrëfeu se pas një përplasjeje fizike, grupi i Harratt filloi të hidhte karrige pasi “nuk dinin të përleshesin ndryshe”.

Pavarësisht imazheve të rënda, Harratt vetë e ka shpërndarë videon në rrjetet sociale, bashkë me foto nga pushimet e tij në Ibiza. Por reagimi i tifozëve ka qenë i ashpër. Shumë prej tyre i kërkojnë klubit të Oldham që ta përjashtojë menjëherë nga ekipi. “E kam mbrojtur shumë herë, por tani ka kaluar çdo kufi. Nuk mund të hedhësh karrige ndaj grave,” shkroi një tifoz. “Do të habitem nëse luan më ndonjë ndeshje për ne këtë sezon,” komentoi një tjetër.

Kjo nuk është hera e parë që 23-vjeçari përballet me ligjin apo me sjellje të papranueshme. Në vitin 2023, Harratt u dënua me katër muaj pezullim nga futbolli dhe me 3,200 paund gjobë për vendosjen e 484 basteve në ndeshje, përfshirë 36 të Huddersfield-it, ekip ku aktivizohej në atë kohë. Në 2022 dhe 2023, ai u dënua për gjueti të paligjshme në zonat rurale të North dhe East Yorkshire, ku u kap me pajisje nate, qen të racës lurcher dhe mjete të dyshimta.

Nëna e tij, Kathleen Duncan, konfirmoi se është në dijeni të videos por refuzoi të komentojë. Ajo tha se djali i saj është ende me pushime dhe se fluturimi i tij drejt Leeds ishte anuluar. “Ai nuk do të mund të thotë asgjë për këtë – gjithçka varet nga agjenti i tij,” deklaroi ajo. Klubi i Oldham nuk ka reaguar ende për ngjarjen, ndërsa presioni publik po rritet që të marrë masa ndaj sjelljes së lojtarit.