Me përjashtim të Lezhës në asnjë qytet tjetër nuk ka ujë 24 orë. Në raportin vjetor të Entit Rregullator të Ujit thuhet se situata më problematike në furnizimin me ujin e pijshëm është në Vorë dhe Kamëz, ku gjatë ditës ofrohet 4 deri në 8 orë ujë. Në raport evidentohet si problem edhe uji që konsumohet, por që nuk faturohet.
Uji me orar vijon të shoqërojë pjesën më të madhe të bashkive në vend, dhe premtimi i kahershëm për furnizim 24 orë në të gjithë Shqipërinë duket ende i largët për t’u realizuar.
Referuar Entit Rregullator të Ujit për vitin 2024, rezulton se kohëzgjatja mesatare e furnizimit me ujë në rang kombëtar është 17.3 orë/ditë. Situata më problematike i takon 2 bashkive të qarkut të Tiranës, Kamzës dhe Vorës.
Rreth 96 mijë banorë të bashkisë së Kamzës kanë ujë vetëm 4 orë në ditë, dhe dyfish më shumë, me 8 orë në ditë ujë të pijshëm është Vora që ka 21 mijë banorë. Të dy ujësjellësit e këtyre bashkive do të bashkohen me atë të Tiranës, por ende nuk është finalizuar riorganizimi i tyre siç ka ndodhur me 14 ujësjellësit e tjerë qendror që tanimë janë licencuar.
Në raport ERRU thotë se furnizim me ujë 24 orë në ditë ofron vetëm Lezha. Ndërsa shoqëritë e Ujësjellës-Kanalizimevë në Korçë, Berat, Gjirokastër, Pogradec, Shkodër, Sarandë dhe Dibër furnizojnë me ujë të pijshëm 20-24 orë në ditë. 4 shoqëri të tjera, përfshirë edhe Tiranën, kanë ujë 13-20 orë në ditë.
Problem në vend mbetet edhe uji pa të ardhura. Edhe pse shifrat flasin për përmirësim, sërish vitin e shkuar 61.1% e ujit në vend nuk u faturua.
“ERRU i ka rekomanduar shoqërive UK se duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë pajisjes 100% të konsumatorëve me matës në mënyrë që konsumatorët të paguajnë volumin real të ujit të konsumuar, por edhe për faktin se faturimi aforfe lë hapësirë për shpërdorimin e ujit nga konsumatorët për ujitje, veçanërisht ato të shtëpive private dhe zonave rurale”, thuhet në raport.