FLASH :

Furgoni përplaset nga treni me shpejtësi të lartë pasi drejtuesi tenton të kalojë semaforin me të kuqe në Poloni/ Shpëton mrekullisht

Një ngjarje dramatike është regjistruar këtë të mërkurë në fshatin Wola Filipowska të Polonisë, ku një furgon u përplas dhe u shkatërrua nga një tren me shpejtësi të lartë, pasi drejtuesi i tij tentoi të kalonte hekurudhën duke injoruar sinjalin e kuq të semaforit.

Pamjet tronditëse nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin kur furgoni i bardhë kalon me shpejtësi vijat e trenit, por mbetet i bllokuar në mes të shinave sapo barrierat fillojnë të ulen. Edhe pse kishte kohë për të kaluar, drejtuesi i mjetit vendos të ndalojë dhe më pas, në përpjekje për të dalë, manovron në mënyrë të pasigurt duke hyrë sërish në pistën e rrezikut.

Pak sekonda më vonë, një tren pasagjerësh vjen me shpejtësi dhe e godet furgonin me forcë, duke e shkatërruar plotësisht. Mrekullisht, drejtuesi i mjetit shpëton pa lëndime, ashtu si edhe pasagjerët e trenit.

Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kritikojnë drejtuesin e furgonit për pakujdesi dhe vendime të gabuara në situatë paniku.

“Pse nuk e theu barrierën dhe nuk u largua?” shkruan një komentues, ndërsa një tjetër shton: “I frikësuar për makinën, por gati ta humbë jetën.”

Ngjarja po hetohet nga prokuroria polake për të zbardhur shkaqet e sakta të aksidentit, raportojnë mediat vendase, përfshirë edhe Fakt.pl.

Ky incident vjen pak javë pas një aksidenti tjetër tragjik në Britani, ku një shofer Amazoni humbi jetën pasi furgoni i tij u godit nga tren në Kent.