Një detaj i veçantë pas takimit mes presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare. Një gazetar i akredituar pranë Kremlinit ka publikuar pamje ku shihet se si pas largimit të Kim, stafi i sigurisë së tij fshin me kujdes karrigen ku ai ishte ulur gjatë bisedimeve.
Pamjet, të cilat po qarkullojnë gjerësisht në rrjetet sociale, tregojnë disa persona duke përdorur peceta të posaçme për të pastruar sipërfaqen e karriges. Ky veprim, sipas analistëve, pasqyron nivelin ekstrem të kujdesit dhe paranojës së sigurisë që karakterizon regjimin e Phenianit ndaj udhëheqësit të tij.
Kim Jong Un, i cili zakonisht udhëton me trenin e tij të blinduar dhe një numër të madh truprojash, është i njohur për protokollet e pazakonta të sigurisë. Pastrimi i karriges shihet si pjesë e masave për të shmangur çdo rrezik, që nga helmimi e deri te gjurmët e ADN-së.
Takimi me Putinin në Pekin, ku morën pjesë edhe dhjetëra liderë të tjerë botërorë, u zhvillua në kuadër të paradës ushtarake për 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, ky detaj i vogël pas bisedimeve duket se ka tërhequr më shumë vëmendje sesa vetë deklaratat zyrtare të liderëve.