Një oficer i policisë gjyqësore në Sarandë është pezulluar pasi dyshohet se fshehu prova për dosjen e trafikitmit të armëve tip “Glock”, me qëllim shitjen në Sarandë.
Prokuroria e Sarandës ka proceduar penalisht një oficer të policisë gjyqësore, i cili dyshohet se ka fshehur të dhëna hetimore kyçe nga një çështje që lidhet me trafikimin e armëve në qytetin bregdetar.
Burime zyrtare bëjnë me dije se procedimi penal nr. 696/2025 është regjistruar ndaj oficerit J.P., nën akuzën për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, vepër e parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal.
Hetimet kanë zbuluar se J.P. dyshohet se ka mbajtur të fshehura të dhëna të përftuara nga këqyrja e një telefoni celular të sekuestruar, që ishte provë në një tjetër procedim penal nr. 592/2024. Ky i fundit kishte të bënte me transportimin e 10 armëve tip “Glock” dhe 150 fishekëve në drejtim të Sarandës, ngjarje e ndodhur më 13 shtator 2024.
“Nga hetimet e kryera rezulton se oficeri i policisë gjyqësore dyshohet se ka fshehur të dhëna hetimore me rëndësi për hetimin, të përftuara nga kqyrja e aparatit celuar të sekuestruar në kuadër të një procedimi penal me nr.592/2024 të regjistruar për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/6 të Kodit Penal që lidhet me transportimin e dhjetë armëve “Glock” dhe njëqind e pesëdhjetë plumbave në drejtim të Sarandës në datë 13.09.2024” informoi sot policia e Sarandës.
Prokuroria kërkoi që ndaj oficerit të vendosej masa e sigurisë “arrest me burg”, por Gjykata e Sarandës caktoi masën “pezullim nga detyra”, duke i ndaluar ushtrimin e funksionit në Policinë e Shtetit deri në përfundim të hetimeve.
Trafiku i armëve ‘Glock’
Më 13 shtator 2024 policia ndaloi dy të rinj pasi u kapën me 10 armë zjarri tip “Glock”, të cilat po i trafikonin me qëllim shitjen në Sarandë.
Bëhet fjalë për Mehmet Canaj dhe Klaudio Osmani, të cilët u vënë në pranga në kohën kur po i trafikonin këto armë, në aksin rrugor “Sarandë-Skërficë”. Osmani, i cili ndodhej pasagjer në automjet, ishte punonjës në stacionin zjarrfikës Këlcyrë. Të dy të arrestuarit ishin banorë të Këlcyrës.
