FLASH :

Fshati që ushqen Shqipërinë, sot po ndëshkohet: Tabaku shpërthen kundër Ramës

Ndërsa kryeministri Edi Rama ka nisur të flasë për bujqësinë dhe qeveria shqiptare pritet të hapë diskutimet për grupkapitullin 5 të negociatave me Bashkimin Europian, që përfshin politikën bujqësore dhe zhvillimin rural, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka zgjedhur t’i japë zë realitetit nga terreni.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku ndodhet në një shtëpi të vogël fshati, ku prodhohen produkte natyrale nga fermerë që mbjellin, plehërojnë dhe shesin vetë prodhimin e tyre në tregjet e Tiranës.

“Nuk ka asnjë mbështetje për këta fermerë. U kërkohet faturë për produktet që i mbjellin vetë, i përpunojnë vetë dhe i shesin vetë. Është absurde që në vend t’i ndihmojmë, i largojmë nga tregu,” u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate denoncoi aksionet e fundit të autoriteteve ndaj fermerëve të cilët, përveç se ndëshkohen për mungesë faturash, përballen me një shtet që nuk u ofron asnjë ndihmë apo subvencion. Sipas saj, është një paradoks që fshati, që ushqen Shqipërinë, sot po trajtohet si problemi i vendit, jo si potenciali i tij.

Ky qëndrim i Tabakut vjen në një kohë kur bujqësia shqiptare po përjeton vitin e shtatë radhazi të rënies, duke shënuar një nga krizat më të thella në historinë e saj. Ndërsa në nivel qeveritar flitet për strategji dhe integrim, realiteti në terren është krejt tjetër: fermerët janë të braktisur, prodhimi vendas është në kolaps dhe tregjet po mbushen me importe.

“Fshati është mrekullia e Shqipërisë. Duhet mbrojtur, duhet mbështetur, jo ndëshkuar,” – tha Tabaku, duke theksuar se është koha që të ndryshojë qasja ndaj bujqësisë, nëse Shqipëria kërkon vërtet të ecë drejt Europës me dinjitet dhe zhvillim të qëndrueshëm.