FLASH :

Fshati më i bukur në Angli “nën pushtim”: Banorët e Castle Combe rebelohen ndaj dronëve të turistëve

Castle Combe, fshati piktoresk në Wiltshire që shpesh cilësohet si “fshati më i bukur në Angli”, është vënë sërish në qendër të vëmendjes – jo nga filmat si Doctor Dolittle, por nga një problem shumë më modern: pushtimi nga dronët.

Prej kohësh atraksion për turistë për shkak të arkitekturës mesjetare dhe shtëpive prej guri me ngjyrë mjalti, ky fshat i vogël me vetëm 400 banorë po përjeton një krizë privatësie. Dronët që përdoren nga turistët për të filmuar dhe bërë pamje spektakolare nga ajri, tashmë po fluturojnë mbi koka të banorëve, duke filmuar brenda dritareve, nëpër kopshte, madje edhe përballë njerëzve që bëjnë banjë.

“Ndihesh sikur po të spiunojnë, si të jetoje në Korenë e Veriut,” thotë Hilary Baker, një ish-police që shet ëmbëlsira nga verandë e shtëpisë së saj 500-vjeçare. Ndërkohë, Anna Roberts kujton sesi një grua i shtypi hundën në dritare kur ajo po ushqente foshnjën me gji – dhe më pas thirri miqtë për ta parë si spektakël publik.

Për të mbrojtur privatësinë e tyre, banorët kanë vendosur shenja “No Drone Zone” kudo nëpër fshat, por nuk mjafton. Konfrontimet me turistët janë bërë të shpeshta, disa kanë qenë agresivë, e madje policia është dashur të ndërhyjë për të fshirë pamje të marra pa leje.

Një burrë kujton se një dron iu afrua fytyrës me centimetra ndërsa punonte në kopsht. Një tjetër zbuloi një turist që e operonte pajisjen nga një laptop në tregun qendror të fshatit. Disa turistë shfaqin sjellje arrogante – “Mund të bëj çfarë të dua dhe ti nuk mund të më ndalosh”, është një qëndrim që banorët thonë se e hasin shpesh.

Dronët, me zhurmën e tyre të mprehtë dhe të vazhdueshme, po kthehen në një shqetësim të përditshëm. Kryetari i këshillit të fshatit, Fred Winup, tregon se është ndjekur në rrugë nga një dron që i qëndronte mbi kokë. “Nëse do të kisha një shkop, do ta kisha rrëzuar,” thotë ai.

Sipas Kodit të Sjelljes së Autoritetit të Aviacionit Civil në Britani, është e ndaluar të fluturosh dronë mbi turma apo pranë shtëpive dhe kopshteve. Por për dronët nën 250 gram nuk kërkohet asnjë licencë, dhe shumë turistë të huaj nuk janë as të vetëdijshëm për rregullat.

Në mes të dëshpërimit, disa banorë tregojnë për akte të vogla hakmarrjeje, si rasti kur një turist kërkoi të hynte në kopshtin e një banori për të marrë dronin e rrëzuar – dhe iu tha: “Jo.”

Të tjerë mendojnë se vizitorët e shohin Castle Combe thjesht si një set filmi të përhershëm, të ndërtuar për argëtimin e tyre. “Më pyesin se ku shkoj natën,” thotë Winup. “Sikur të mos besonin se ne jetojmë vërtet këtu.”

Aktualisht po shqyrtohet mundësia për të miratuar një ligj lokal që ndalon përdorimin e dronëve, ashtu si në zonën e mbrojtur ku ndodhet rezidenca e Mbretëreshës Camilla.

Për momentin, paqja në Castle Combe zgjat vetëm disa orë në mbrëmje, pasi vizitorët largohen. Por me agimin, fshati zgjohet sërish – jo nga cicërimat e zogjve – por nga zërat bezdisës të dronëve, që e kanë kthyer këtë parajsë rurale në një realitet gjithnjë e më distopik.