Kanë kaluar gjashtë ditë që kur ushtria izraelite i bllokoi të gjitha furnizimet e ndihmave për të hyrë në Gazën e goditur nga lufta dhe zyrtarët e ndihmave kanë thënë se qindra milionë dollarë të destinuara për territorin palestinez janë ndalur nga qeveria amerikane.
Kur armëpushimi i Gazës po vihet gjithnjë e më shumë në mëdyshje, zëdhënësi ushtarak i Hamasit tha se “rezistenca mbetet në nivelin më të lartë të gatishmërisë për të gjitha mundësitë”.
Kolonët sulmojnë komunitetin palestinez në luginën e Jordanit
Agjencia e lajmeve Ëafa raportoi se kolonët izraelitë kanë ngritur flamuj të tyre pranë tendave të banorëve palestinezë në luginën veriore të Jordanit.
Duke cituar burime lokale thuhet se një grup kolonësh sulmuan Khirbet Samra në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke rritur frikën tek palestinezët se do tu rrëmbejnë tokat bujqësore.
Kolonët janë shtetas izraelitë që jetojnë ilegalisht në tokat private palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Jerusalemin Lindor.
Izraeli filloi ndërtimin e vendbanimeve pasi pushtoi Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës në Luftën Gjashtë Ditore të qershorit 1967.
Tani, më shumë se 700,000 kolonë – 10 për qind e popullsisë gati shtatë milionëshe të Izraelit – jetojnë në 150 vendbanime dhe 128 poste të përhapura në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Jerusalemin Lindor.
Hamasi i kërkon Trump që të takohet dhe të “respektojë” të burgosurit palestinezë
Hamasi i ka kërkuar Presidentit të SHBA Donald Trump që të takohet me të burgosurit palestinezë të liruar gjatë armëpushimit të vazhdueshëm në Gaza pas takimit të tij me robërit izraelitë të liruar.
Ashtu siç foli për “vuajtjet e padurueshme” të pengjeve izraelite, presidenti amerikan duhet “të tregojë të njëjtin nivel respekti për të burgosurit politikë palestinezë të liruar dhe të gjejë kohë për t’u takuar dhe dëgjuar historitë e tyre”, shkroi lideri i lartë i Hamasit, Basem Naim në një letër të hapur drejtuar Trump.
Më shumë se 9,500 të burgosur palestinezë mbahen aktualisht në burgjet izraelite, tha ai.
Të enjten, Trump u takua në Zyrën Ovale me tetë ish-robër izraelitë të liruar, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar. / Al Jazeera







