Bisedimet e mundshme për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës janë vënë në dyshim pas transmetimit nga televizioni shtetëror rus të një mesazhi paralajmërues nga Vladimir Putin drejtuar Donald Trump-it. Presidenti rus i kërkon ish-presidentit amerikan të mos përpiqet të diktojë kushtet për një armëpushim në Ukrainë.
Putin, i intervistuar nga mediat e Kremlinit, deklaroi:
“Amerikanët — populli amerikan dhe drejtuesit e tij, përfshirë presidentin — kanë interesat e tyre kombëtare. Ne e respektojmë këtë. Dhe nisemi nga ideja se edhe ne do të trajtohemi në të njëjtën mënyrë.”
Deklaratat u regjistruan që në fund të marsit, por u transmetuan sot – një ditë para telefonatës së paralajmëruar për të hënën në mëngjes mes Trump dhe Putin. Transmetimi vjen pasi Trump ka bërë të qartë se gjatë bisedës synon të bindë Putinin për të pranuar një armëpushim.
Në intervistë, Putin u shpreh se Rusia ka “forcat dhe burimet për ta çuar në fund atë që nisi në vitin 2022”, duke nënkuptuar se nuk është i gatshëm të pranojë presion nga Shtetet e Bashkuara për të ndalur ofensivën.
Ai nuk përmendi faktin që, që nga shkurti 2022, agresioni rus ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra ukrainasve rusishtfolës — të cilët ai pretendonte se po i “mbronte”.
Ndërkohë, Trump konfirmoi se do të zhvillojë një bisedë telefonike me Putin të hënën në orën 10:00 të mëngjesit (ora lokale), duke thënë:
“Temat do të jenë ndalimi i ‘gjakderdhjes’ që po vret mbi 5,000 ushtarë rusë dhe ukrainas në javë dhe çështjet tregtare.”
Më pas, ai tha se do të zhvillojë bisedime edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe me liderët e NATO-s, duke shtuar:
“Shpresoj të jetë një ditë produktive, të arrihet një armëpushim dhe të marrë fund kjo luftë shumë e dhunshme – një luftë që s’duhej të kishte ndodhur kurrë.”







