Agjencia amerikane Fitch uli të premten vlerësimin e kreditit të Francës, duke e kaluar nga “AA-” në “A+”, niveli më i ulët ndonjëherë për vendin nga një agjenci kryesore ndërkombëtare. Vendimi vjen mes trazirave politike dhe vështirësive për të vendosur mbi masat e shkurtimeve buxhetore, ndërsa borxhi publik pritet të rritet deri në vitin 2027.
Sipas Fitch, Franca nuk ka një “horizont të qartë për stabilizimin e borxhit në vitet pasuese”. Paralajmërimi pason dorëheqjen e ish-kryeministrit François Bayrou, i cili humbi votëbesimin në parlament pas përpjekjes për të miratuar një buxhet shtrëngues. Bayrou reagoi duke thënë se “elitat që refuzojnë të pranojnë të vërtetën po e çojnë vendin drejt pagesës së një çmimi të rëndë”.
Situata i shton presion kryeministrit të ri, Sébastien Lecornu, i cili përballet me një parlament të fragmentuar dhe me pak gjasa për të zbatuar reformat e thella fiskale. Fitch paralajmëroi se deficiti buxhetor është i pamundur të ulet në 3% të PBB-së deri në vitin 2029, ndërsa borxhi pritet të arrijë 121% të PBB-së deri në vitin 2027, nga 113% që ishte vitin e kaluar.
Kjo ulje vlerësimi rrit kostot e huamarrjes për Francën dhe e afron me treguesit më problematikë të eurozonës, si Italia. Megjithatë, instituti shtetëror i statistikave INSEE parashikon një rritje modeste të ekonomisë franceze me 0.8% për vitin 2025, duke dhënë një shenjë të vakët optimizmi në një klimë të pasigurt financiare e politike.







