Vetëm pak pas ndarjes së papritur nga Katy Perry, Orlando Bloom është parë në një mbrëmje flirtuese me një grua misterioze në festën e Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez përpara martesës së tyre në Itali, të enjten në mbrëmje.
Aktori 47-vjeçar u fotografua duke lënë ambientin historik të Madonna dell’Orto në Venecia, së bashku me një brune glamuroze, pasi festa u ndërpre nga një stuhi e papritur me bubullima dhe reshje të rrëmbyeshme.
Festa shënoi një fillim të trazuar për dasmën tre-ditore 20 milionë dollarëshe të çiftit miliarder, që pritet të kurorëzohet të premten para emrave si Kim Kardashian dhe Ivanka Trump.

Pavarësisht motit të keq, Bloom nuk e humbi humorin dhe hipi në një taksi uji me disa femra. Brenda varkës, ai u fotografua teksa përqafonte një prej tyre, ndërsa qeshnin bashkë.
Ndarja nga Katy Perry dhe mungesa në festë
Lajmi për ndarjen e Bloom dhe Perry u konfirmua të enjten, pas javësh spekulimesh. Çifti u lidh fillimisht në vitin 2016, u ndanë dhe u bashkuan sërish në 2018. Bloom i propozoi Perry-t në 2019, dhe vajza e tyre Daisy Dove lindi në gusht 2020.
Raportimet për “tension” mes tyre nisën këtë muaj, ku u përmend dështimi komercial i albumit të fundit të Perry-t, talljet për udhëtimin e saj me Blue Origin, dhe lodhja nga turneu “Lifetimes Tour”. Për më tepër, Perry është parë shpesh pa unazën e fejesës.

U konfirmua gjithashtu se Bloom do të merrte pjesë në dasmën e Bezos pa Perry-n, e cila ndodhet në Australi për turne.
Yje në Venecia dhe festë nën stuhi
Bloom mbërriti në Venecia të mërkurën, bashkë me yje si Kim Kardashian, Tom Brady dhe Leonardo DiCaprio. Ai u pa duke përshëndetur Kim-in me një puthje – vetëm një vit pasi ishte kapur duke e “vështruar” gjatë një eventi ku ndodhej me Katy Perry-n.

Stuhia goditi gjatë mbrëmjes gala, ku të ftuarit kërkuan strehë nën harqet gotike teksa rrufetë ndriçonin qiellin dhe era çonte çarçafët dhe kamerierët vraponin me çadra për të mbrojtur VIP-at. Lauren Sanchez, me një fustan mahnitës me korse të artë, u mbrojt nga disa burra me smoking dhe çadra blu, ndërsa Bezos e ndiqte nga pas me çadër mbi kokë.
Një i pranishëm komentoi: “Të kesh gjithë paratë e botës nuk do të thotë se mund të kontrollosh motin. Por siç thotë një shprehje italiane, një nuse e lagur është një nuse me fat.”
Martesa e bërë në fshehtësi dhe protestat në Venecia
Një burim tha për se Bezos dhe Sanchez janë ligjërisht të martuar që prej më shumë se një muaji në SHBA. Dasma në Venecia nuk do të ketë vlefshmëri ligjore, pasi në Itali nuk ka aplikim për licencë martese. Gjithashtu, ata kanë nënshkruar një marrëveshje paramartesore për të mbrojtur pasurinë prej 244 miliardë dollarësh të Bezos.
Ndërkohë, grupe si Greenpeace dhe Everyone Hates Elon protestuan në Venecia, duke denoncuar luksin e tepërt dhe taksat e ulëta që paguan Bezos. “Nëse mund të marrësh me qira Venecian për dasmën tënde, atëherë mund të paguash më shumë taksa”, lexohej në një pankartë gjigante në Sheshin Shën Mark.

Autoritetet lokale, përfshirë kryebashkiakun Luigi Brugnaro dhe guvernatorin Luca Zaia, kanë përkrahur dasmën, duke theksuar ndikimin pozitiv ekonomik që pritet të sjellë, midis 23 dhe 34 milionë dollarë për bizneset lokale.
Dëmi ndaj turizmit lokal dhe përgatitjet ekstravagante
Banorët e Venecias kanë shprehur pakënaqësi për shkak të mbylljes së urave dhe kanaleve për të lejuar lëvizjen e VIP-ave. Një biznes lokal i qirasë së kajakëve tha se klientët e tyre amerikanë nuk u lejuan të kalonin, pavarësisht rezervimit, gjë që çoi në humbje financiare.
Policia ka qenë e pranishme me forca të shumta, përfshirë oficerë me skutera uji që ruanin hyrjet në kanale, ndërsa taksitë e ujit lëviznin të ftuarit nga hotelet luksoze.

Në prag të dasmës, rreth 20 aktivistë protestuan në Sheshin Shën Mark me pankarta si “Ne jemi 99 përqindëshi – kemi fuqinë” dhe “Planeti digjet”.
Historia e dashurisë së Bezos dhe Lauren Sanchez
Çifti u njoh në vitin 2016, kur bashkëshorti i atëhershëm i Lauren, Patrick, i prezantoi në një festë të Amazon Studios. Më vonë, kompania e produksionit të Lauren-it u punësua për të filmuar për Blue Origin. Marrëdhënia e tyre u bë publike në janar 2019, kur National Enquirer zbuloi një aferë 8-mujore mes tyre.

Pas skandalit, Bezos u divorcua nga bashkëshortja Mackenzie Scott, ndërsa Lauren u nda nga burri i saj. Bezos publikoi një letër të gjatë, ku akuzonte Enquirer për shantazh dhe tentativë për ta turpëruar publikisht.
Prej atëherë, ata janë shfaqur shpesh në publik si çift, duke u fotografuar në pushime luksoze dhe evente madhore, dhe tani po finalizojnë historinë e tyre të dashurisë me një ceremoni martesore madhështore në zemër të Venecias.