Edhe pse ligji ndalon rreptësisht fotografimin dhe publikimin e votës, pasi ajo është e fshehtë, një qytetare në Elbasan, Majlinda Cani, ka arritur ta fotografojë dhe ta bëjë publike votën e saj.
Aktualisht, fotografia po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale dhe është përhapur gjerësisht. Votuesja në fjalë ka shprehur hapur preferencën e saj për kandidaten e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, duke e bërë këtë publikisht dhe me krenari, pavarësisht se ky është një veprim i ndaluar me ligj dhe i dënueshëm penalisht.
Ndërkohë, në kampin socialist vijojnë abuzimet me publikimin e votës. Një tjetër rast është ai i Renato Ferit, një person me precedent penal, i cili ka publikuar votën e tij në favor të ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.
Ky veprim, ashtu si në rastin e mëparshëm në Elbasan, përbën shkelje të qartë të ligjit, i cili ndalon fotografimin dhe publikimin e votës, pasi ajo konsiderohet e fshehtë dhe e mbrojtur me ligj.







