Një nga destinacionet më të vizituara për turistët në Shqipëri, po përballet me një situatë të papranueshme në prag të nisjes së sezonit turistik. Rruga Vlorë-Radhimë, është totalisht e shkatërruar nga punimet që po zhvillohen, duke shkaktuar një panoramë të shëmtuar dhe rrëmujë me të cilën përballen turistët dhe jo vetëm.
Turistët e parë kanë nisur tashmë të mbërrijnë, por për ata që kërkojnë të shijojnë bukuritë natyrore të Vlorës, e vetmja mundësi kalimi është kjo rrugë e pa përfunduar dhe e mbushur me pengesa. Për më tepër, tuneli dhe bajpasi, dy shtigjet alternative për të kaluar, janë të mbyllura, duke e bërë rrugën e vetme të kalueshme edhe më të vështirë.
Ky kaos, i shoqëruar me ndotje akustike dhe vizuale, është një goditje e rëndë për imazhin e qytetit dhe mund të ketë pasoja serioze për turizmin. Siç dihet, Vlora është një pikë kryesore për turizmin, dhe kjo situatë mund të dëmtojë rëndë reputacionin e saj në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Kjo është një periudhë e rëndësishme për sektorin turistik, dhe është e domosdoshme të ndërhyhet për të përmirësuar infrastrukturën dhe për t’u siguruar që qytetarët dhe turistët të mund të kalojnë në kushte normale. Situata aktuale është jo vetëm një pengesë për lëvizjen, por edhe një shqetësim serioz për cilësinë e shërbimeve dhe përvojën që ofrohet në këtë rajon të bukur të Shqipërisë.



