Plas sherri mes gjimnazistëve!
Ditën e sotme, në ambientet e jashtme të gjimnazit “Sami Frashëri”, ka ndodhur një sherr mes gjimnazistëve.
Pasi kanë mbyllur ditën mësimore rreth orës 13:30, ata janë përleshur me njëri-tjetrin duke përdorur sende të rënda. Duket se ngjarje të tilla po shtohen dhe po bëhen një problematikë shumë e madhe në shoqërinë shqiptare. Qeveria dhe vetë shoqëria shqiptare kanë vendosur që fajin për këto përplasje t’ia hedhin aplikacionit më të përdorur, TikTok, duke e konsideruar atë si shkaktarin dhe indikatorin kryesor.
Edhe pse masat për mbylljen e TikTok-ut nuk janë marrë ende, kuptohet qartësisht se kjo “pulle e zezë” që po krijohet te të rinjtë sot nuk nis vetëm nga disa aplikacione, por edhe nga mënyra se si ata kulturohen në shtëpitë e tyre apo në shkollë. Mungesa qëndron te pakorrektësia, pasiguria, mosinformimi nëpër shkolla, si dhe mungesa e ndëshkimit nga institucionet përkatëse.
Çdo ditë e më shumë, populli shqiptar po humbet rininë ose, siç e perifrazojnë ata, “të ardhmen”, dhe nuk po shohim asnjë reagim të denjë ndaj këtij fenomeni. Për një vend që mbahet për traditat e tij mikpritëse dhe për njerëzit e dashur, kjo është një hap shumë mbrapa dhe një fatkeqësi e madhe për prindërit, të cilët jetojnë me frikë për sigurinë e fëmijëve të tyre.