Një valë e dhunës së pamëshirshme ka përfshirë Sirinë, ndërsa militantët e grupit islamist në pushtet, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), kanë kryer masakra masive ndaj civilëve në zonat me shumicë alavite përgjatë bregut perëndimor të vendit.
Raportimet nga terreni flasin për gati 1,500 viktima, shumica e të cilëve ishin civilë të paarmatosur, të ekzekutuar brutalisht nga luftëtarët e HTS. Pamjet tronditëse të publikuara në rrjetet sociale tregojnë civilë të tërhequr zvarrë nga shtëpitë e tyre dhe të pushkatuar në rrugë, teksa militantët qeshin dhe filmojnë vrasjet e tyre.
Dëshmitarët okularë tregojnë për tortura të tmerrshme dhe trajtim çnjerëzor. Disa civilë janë detyruar të zvarriten pranë trupave të përgjakur të fqinjëve të tyre, ndërsa janë goditur me shkopinj dhe degë pemësh. Të tjerë janë ekzekutuar në distancë të afërt ose janë djegur të gjallë.
Qeveria e HTS ka pretenduar se sulmet kishin në shënjestër grupet pro-Assad, të cilat kishin sulmuar postblloqet e sigurisë më 6 mars. Por provave të shumta – shumica e tyre të dokumentuara nga vetë militantët – tregojnë se shumica e viktimave ishin civilë të pafajshëm nga komunitetet alavite dhe të krishtera.
Reagimi ndërkombëtar dhe pasojat politike
Lideri i HTS, Ahmed al-Sharaa, i cili erdhi në pushtet pas rrëzimit të Bashar al-Assadit në dhjetor 2024, kishte premtuar më parë se të gjitha grupet fetare dhe etnike në Siri do të ishin të mbrojtura. Por masakrat e fundit kanë ngritur dyshime serioze mbi synimet e tij dhe kanë shkaktuar reagime të ashpra në arenën ndërkombëtare.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dënoi me forcë sulmet dhe kërkoi ndëshkimin e përgjegjësve, duke riafirmuar mbështetjen e SHBA-së për komunitetet minoritare në Siri. Ndërkohë, rajoni autonom i Rojavës, i udhëhequr nga kurdët, paralajmëroi se HTS është një rrezik për stabilitetin dhe nuk ka ndërmend të ndjekë një qeverisje gjithëpërfshirëse.
Pavarësisht përpjekjeve të HTS për t’u paraqitur si një qeveri e ligjshme dhe e qëndrueshme, krimet e luftës të dokumentuara tashmë kanë dëmtuar rëndë imazhin e tyre në arenën ndërkombëtare.
Masakrat e fundit vetëm sa thellojnë konfliktin sirian dhe rrisin frikën për një kapitull të ri të dhunës dhe persekutimeve në vend0.
