Një ngjarje tronditëse është shënuar në ishullin Paros të Greqisë, ku një foshnjë 5 muajshe me prindër shqiptar ka humbur jetën në rrethana të paqarta. Autoritetet greke po e trajtojnë çështjen si hetim penal për “ekspozim fatal të një të mituri”, ndërsa prindërit janë arrestuar dhe po përballen me akuza të rënda.
Mediat greke raportojnë për deklarata kontradiktore të dhëna nga nëna dhe babai. Nëna ka pohuar se foshnja ishte lënë në makinë për të fjetur ndërsa ata ishin në plazh me fëmijët e tjerë, ndërsa babai pretendon se vajza ishte me ta në det.
Një banor lokal ka deklaruar për mediat greke se familja kishte shkuar me katër fëmijët në plazhin Parasporos dhe se foshnja kishte rënë në gjumë gjatë rrugës — duke ngritur dyshime se ajo mund të jetë lënë në automjet në temperatura të larta.
Policia ka marrë në pyetje dëshmitarë dhe po analizon të dhënat e ambientit përreth vendngjarjes. Ndërkohë, trupi i foshnjës pritet t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Ngjarja ka tronditur komunitetin vendas dhe atë shqiptar në Greqi, ndërsa autoritetet theksojnë se hetimi është ende në zhvillim.







