FLASH :

Foreign Policy / Një patogjen i kontrabanduar ngre frikën e agroterrorizmit kinez

FBI: Shkencëtarë kinezë mund të kenë synuar furnizimin ushqimor të SHBA

Në fillim të këtij muaji, Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti akuza ndaj dy shkencëtarëve kinezë, Yunqing Jian dhe Zunyong Liu, të dy të akuzuar për kontrabandimin e një patogjeni të njohur bimor në SHBA. Jian, kërkuese në Universitetin e Miçiganit, dyshohet se ka bashkëpunuar me partnerin e saj Liu për të futur në mënyrë të paligjshme kërpudhën Fusarium graminearum përmes Aeroportit Metropolitan të Detroitit në korrik 2023. Kjo kërpudhë është shkaktari më i zakonshëm i sëmundjes fusarium head blight (FHB), e cila shkatërron kulturat e grurit, elbit, orizit dhe tërshërës.

Në rrjetin X, drejtori i FBI-së, Kash Patel, e cilësoi rastin si “një kujtesë tronditëse se Partia Komuniste Kineze po përpiqet pa pushim të depërtojë në institucionet amerikane dhe të synojë furnizimin tonë ushqimor”.

Liu, studiues i Fusarium graminearum në Universitetin Zhejiang në Kinë, kishte me vete katër qese plastike me material biologjik dhe një letër filtri me rrethe të vizatuara. Fillimisht, ai tha se dikush tjetër ia kishte futur në çantë, por më pas pranoi se përmbajtja ishin mostra të ndryshme të patogjenit që do t’i përdorte për kërkime në laboratorin ku punonte Jian. Sipas padisë, ai e kishte fshehur me qëllim materialin duke qenë i vetëdijshëm për kufizimet në importin e tij.

FBI i përshkroi veprimet e çiftit si kontrabandim të “një arme të mundshme agroterrorizmi”, duke theksuar se ato përbëjnë një “kërcënim të menjëhershëm për sigurinë publike”. Edhe pse disa ekspertë vënë në dyshim nëse Fusarium graminearum përbën realisht një kërcënim për sigurinë kombëtare, kërpudha ka qenë e pranishme në SHBA për më shumë se 125 vjet dhe nuk figuron në listat e patogjenëve të rrezikshëm. Megjithatë, për ta sjellë në vend nevojiten leje specifike që Liu i kishte anashkaluar.

Patel sugjeroi se ata mund të jenë pjesë e një komploti të sponsorizuar nga shteti për të sulmuar bujqësinë amerikane – një pretendim ende i pa provuar, por jo i pabesueshëm. Historia e bioterrorizmit shkon deri në shekullin VI p.e.s., kur Asirianët helmuan ujin e armikut me kërpudha që dëmtonin kulturat e thekrës. Edhe pse shumica e terroristëve shmangin armët biologjike, ka pasur përjashtime: në Oregon më 1984, një sekt helmoi sallatat në restorante për të ndikuar në një votim; në Japoni në vitet ‘90, kulti Aum Shinrikyo tentoi të përhapte toksinën botulinike në Tokio; ndërsa pas 11 Shtatorit, SHBA u trondit nga sulmet me antraks.

Agroterrorizmi – një nëndegë e bioterrorizmit që synon kulturat dhe bagëtitë – ka marrë më pak vëmendje, edhe pse sistemi bujqësor amerikan konsiderohet i pambrojtur. Sipas FBI-së, në vitin 2002, kur trupat amerikane pushtuan strehët e al-Kaedës në Afganistan, ata gjetën dokumente amerikane dhe manuale për sulme kundër bujqësisë.

Ndryshe nga al-Kaeda, për të cilën sulmet me viktima masive janë më karakteristike, Kina po përdor gjithnjë e më shumë taktika “të zonës gri” – ndërhyrje të fshehta, të mohuara dhe me kosto të ulët për të arritur qëllime gjeopolitike. Hakerë kinezë kanë sulmuar vazhdimisht kompani dhe agjenci amerikane, madje edhe fonde ndihme për COVID-19. Gjithashtu, autoritetet amerikane kanë raportuar mbi 100 raste ku shtetas kinezë kanë hyrë në baza ushtarake dhe zona të ndjeshme – për të testuar sigurinë, sipas zyrtarëve.

Sulmi ndaj sektorit të drithërave në SHBA do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm të këtyre taktikave. Sëmundja FHB ka shkaktuar humbje prej mbi 2.5 miliardë dollarësh vetëm në periudhën 1998–2000. Drithërat e kontaminuar janë të vështirë për eksport dhe përmbajnë toksina të rrezikshme për njerëzit dhe kafshët. Për më tepër, nuk ekzistojnë ende varietete rezistente, dhe fungicidet janë të kushtueshme dhe joefikase.

Duke qenë se cikli i kultivimit të drithit është i gjatë dhe shpërthimi i FHB varet nga kushtet klimatike, një sulm i tillë mund të mos dallohet menjëherë nga një shpërthim natyral. Megjithatë, një sulm i tillë do të përmbushte kriteret që kërkon Kina në një operacion të “zonës gri”: kosto e ulët, ndikim i lartë dhe mohueshmëri.

Akuzat ndaj Jian dhe Liu vijnë në një moment tensioni të lartë SHBA-Kinë, me retorikë armiqësore dhe masa tregtare ndëshkuese. Për më tepër, administrata e Trump ka ndërmarrë hapa të rreptë ndaj studentëve kinezë në SHBA. Disa analistë mendojnë se ky rast mund të jetë pjesë e përpjekjeve për të treguar forcë ndaj Kinës. Megjithatë, disa fakte tregojnë se shqetësimet mund të jenë të bazuara: që të dy janë shkencëtarë të vërtetë me botime mbi Fusarium graminearum.

Por incidenti i korrikut nuk ishte i vetmi. Sipas dokumenteve të prokurorisë, Jian dhe Liu kishin diskutuar më parë për mënyrën e kontrabandimit të farave përmes aeroportit të San Franciskos. Në një rast tjetër, Jian kishte udhëzuar dikë të quajtur Xia Chen t’i dërgonte mostra të patogjenit në letër filtri – të njëjtën metodë që përdori Liu. Pakoja u kap nga autoritetet doganore dhe materialet u asgjësuan.

Edhe pse është herët për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me një akt të qëllimshëm agroterrorizmi apo thjesht me dy shkencëtarë që donin të shmangnin burokracinë, rreziku për SHBA-në mbetet real. Shumë nga përpjekjet për të parandaluar sabotazhin janë fokusuar te ndalimi i rrjedhjes së informacionit, por më pak është bërë për të parandaluar futjen e materialeve të rrezikshme nga jashtë.

Për të parandaluar agroterrorizmin, SHBA duhet të investojë më shumë në studimin e patogjenëve bimorë dhe të kafshëve. Edhe pa terrorizëm, sëmundjet bujqësore shkaktojnë humbje prej 100–200 miliardë dollarësh në vit në nivel global. Kërkimi duhet të fokusohet edhe në teknikat forenzike për të gjurmuar burimin e infeksioneve dhe nëse ato mund të kenë lidhje me shtete të huaja.

Gjithashtu, mbrojtja e furnizimit ushqimor është kyçe për shëndetin publik dhe sigurinë kombëtare. Patogjenët me pasoja edhe më të rënda se Fusarium mund të përdoren si armë. Përtej këtij rasti, SHBA duhet të gjurmojë dhe dokumentojë në mënyrë aktive aktivitetet e “zonës gri” të Kinës dhe të ndërtojë një përgjigje të përbashkët me aleatët. Edhe nëse rezulton se kjo kontrabandë nuk ka lidhje me Pekinin, rasti flet qartë për strategjinë e Kinës për të testuar dobësitë perëndimore dhe për të dhënë sinjale se mund dhe do të ndëshkojë armiqtë e saj.