FLASH :

Forbes : Wall Street dhe katër gjigandët financiarë i kthejnë shpinën Trump-it

Ekskluzive / Një anketë e re e Forbes me liderët kryesorë të Wall Street-it tregon se shumë nga ata që mbështetën premtimet ekonomike të Donald Trump-it janë larguar prej tij, dhe një shumicë e madhe nuk miraton politikat e tij ekonomike.

Më shumë se dy muaj pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, Forbes kontaktoi 50 liderë të Wall Street-it, përfshirë investitorë miliarderë, menaxherë të pasurisë dhe institucione financiare të mëdha, për të matur mbështetjen e tyre ndaj strategjive ekonomike të presidentit.

Rezultatet e anketës janë alarmante: 72% e tyre e konsiderojnë planin ekonomik të administratës Trump si të paefektshëm, ndërsa 66% nuk e mbështesin më politikën e tij ekonomike. Edhe ata që e mbështetën Trump-in disa javë më parë, tani po ndryshojnë qëndrim, me 54% që deklarojnë se ekzekutimi i planit të tij ka dështuar.

Nota e Dështimit nga Wall Street

Forbes i pyeti këta liderë financiarë që të vlerësonin politikat e Trump-it nga 1 deri në 5. Rezultatet ishin katastrofike:

  • Tarifat doganore: 1.86/5 (27 e vlerësuan me notën më të ulët, 1)
  • Tregu i aksioneve: 1.96/5 (25 dhanë notën 1/5)
  • Urdhrat ekzekutivë kundër firmave ligjore: 2.10/5
  • Kriptovalutat: 2.00/5
  • Inflacioni: 2.16/5

E vetmja pikë e lartë (relativisht) ishte nota mbi deregulimin ekonomik (3.08/5) dhe ulja e shpenzimeve qeveritare në bashkëpunim me Elon Musk (2.96/5).

Tregjet Globale Në Kolaps

Politika e re agresive tregtare e Trump-it ka tronditur ekonominë globale. Presidenti ka shpallur “tarifat reciproke”, duke vendosur një tarifë bazë prej 10% mbi të gjitha mallrat e importuara në SHBA, por edhe tarifa më të larta për partnerët kryesorë tregtarë.

Ditën pas shpalljes së kësaj politike, tregjet globale pësuan rënie drastike:

  • S&P 500 ra me 4.8%
  • Dow Jones u ul me 4%
  • Nasdaq humbi 6%
  • Dollari amerikan ra mbi 1% kundrejt euros dhe jenit

Anh Tran, menaxhere e pasurisë me 350 milionë dollarë investime, e përshkruan situatën si “alarmante dhe shqetësuese”, me investitorët që po mendojnë mënyra për të mbrojtur veten nga rreziku.

Ekonomia Amerikane Në Rrezik

Trump e ka mbrojtur politikën e tij të tarifave duke pretenduar se vendet e tjera kanë përfituar padrejtësisht nga SHBA. Por shumë ekonomistë e kundërshtojnë, duke theksuar se tregtia është shumë më komplekse sesa thjesht tarifat.

Preston Caldwell, kryeekonomist i Morningstar, e ka quajtur këtë politikë “një katastrofë ekonomike të vetëshkaktuar”. Ai paralajmëron se, nëse tarifat mbeten në fuqi, “do të ulin përherë jetesën reale të amerikanëve”.

Historikisht, politika të tilla kanë shkaktuar kolaps ekonomik. Rasti më i ngjashëm ishte në vitin 1930 me Aktin Smoot-Hawley, i cili shkaktoi luftë tregtare globale dhe kontribuoi në Depresionin e Madh.

“Psikologjia e Investitorëve është Shkatërruar”

Tarifat e reja do të ndikojnë drejtpërdrejt te konsumatori amerikan me çmime më të larta për ushqime, karburante dhe mallra të tjera. UBS vlerëson se rritja ekonomike e SHBA mund të zbresë në më pak se 2% në 2025 (nga 2.8% në 2024), ndërsa Deutsche Bank parashikon edhe pasoja më të rënda.

Adam Turnquist, strateg i LPL Financial, e quan këtë një “kombinim të keq për tregjet e aksioneve”. Ndërkohë, Chris Zaccarelli, drejtor i Northlight Asset Management, shpreh habi sesi “e gjithe optimizmi i vitit të kaluar u shua brenda dy muajsh”.

Adam Crisafulli, themelues i Vital Knowledge, në analizën e tij për investitorët, shkroi: “Psikologjia e investitorëve është shkatërruar dhe blerësit e dip-it nuk po shihen askund”.

Me tregjet në kaos dhe besimin në administratën Trump që po venitet, Wall Street po distancohet gjithnjë e më shumë nga presidenti, duke e lënë të izoluar përballë një krize të mundshme ekonomike.