Ishte dita pas publikimit të një videoje promovuese mjaft të kuruar nga kompania Mach Industries për “Viper”, droni i ri luftarak, kur CEO-ja Ethan Thornton hasi një problem.
Disa shikues të vëmendshëm të videos, të cilën Thornton e kishte shpërndarë në rrjetet sociale me mbishkrimin “Tregoje, mos e thuaj”, vunë re se droni përdorte një motor që ngjasonte shumë me një të prodhuar nga një kompani kineze. Thornton e kishte mohuar me forcë se dronët e kompanisë përmbanin ndonjë komponent kinez. Por tani, Palmer Luckey, CEO i gjigantit të teknologjisë së mbrojtjes Anduril, i bëri një pyetje edhe më të vështirë për t’u shmangur: “Po trupi i dronit në video?”
I vënë me shpatulla pas murit, Thornton u përgjigj në platformën X: “Ndihemi rehat të shpërthejmë komponentë kinezë për qëllime testimi, Palmer,” duke konfirmuar kështu vendin e origjinës së motorit. (Thornton i tha Forbes-it se “të gjitha njësitë përfundimtare prodhohen pa komponentë kinezë”; Anduril dhe Luckey nuk pranuan të komentojnë mbi këtë shkëmbim.)
Lufta në Ukrainë, tensionet në rritje rreth Tajvanit dhe dominimi i kompanive kineze të dronëve si lideri i tregut DJI kanë theksuar nevojën që ushtria amerikane të sigurojë dronë të lirë dhe të prodhuar masivisht nga kompani amerikane apo aleate. Por debati i Thornton nxori në pah një sekret të hapur në Silicon Valley: shumica e kompanive të dronëve që po i përgjigjen parullës “America First” të administratës Trump kanë një problem serioz me pjesët “Made in China”.
Aktualisht, Kina kontrollon afro 90 për qind të tregut global të dronëve komercialë dhe prodhon pjesën më të madhe të komponentëve kyç për ndërtimin e tyre – kornizat (airframes), bateritë, radiot, kamerat dhe ekranet – sipas firmës së kërkimeve të tregut Drone Industry Insights UG. Për shkak të varësisë së gjatë nga këto pjesë, SHBA-ja është disa vite prapa në ndërtimin e infrastrukturës prodhuese që mund të rivalizojë me atë kineze. “Ne jemi pothuajse plotësisht të varur nga kundërshtari ynë kryesor për këto pjesë dhe për aftësinë për t’i prodhuar vetë,” tha Josh Steinman, ish-zyrtar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare i ngarkuar me sigurinë e zinxhirit të furnizimit.
Është një realitet nga i cili është pothuajse e pamundur të shpëtosh. Kur zëvendëspresidenti J.D. Vance mori pjesë muajin e kaluar në një demonstrim dronësh të Marinës Amerikane në Quantico, si rast për foto, ai u fotografua me syze shfaqjeje të prodhuara në Kinë. (Major Hector Infante, përgjegjës për trajnimet në Quantico, i tha Forbes se syzet “nuk ishin pajisje të lëshuara nga ushtria” dhe këmbënguli se ishin dhënë “vetëm për qëllime shfaqjeje”; Shtëpia e Bardhë nuk u përgjigj.)
Kjo varësi nga pjesët kineze ka ngritur alarmin te zyrtarët ushtarakë. Disa kompani amerikane të dronëve me kontrata nga Pentagoni — përfshirë Skydio, një nga më të mëdhatë — po nxitojnë të rindërtojnë zinxhirët e tyre të furnizimit pasi sanksionet kineze ndërprenë qasjen te furnitorët. “Kina mund ta ndalojë [industrinë e dronëve] në nivel global për një vit,” tha për Forbes Trent Emeneker, drejtues i një ekipi të Njësisë së Inovacionit në Mbrojtje të Pentagonit që aprovon dronët për përdorim ushtarak. “Është një çështje e sigurisë kombëtare, jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por për gjithë Perëndimin.”
Disa kompani dronësh i thanë Forbes se burokracia e Pentagonit ka penguar rritjen e industrisë amerikane. Por prania e pjesëve kineze ka zbehur entuziazmin e Pentagonit për t’i përdorur në shkallë të gjerë. Për shembull, blerjet ushtarake nga Orqa, një kompani dronësh që e prezantonte veten si “DJI-ja e Perëndimit”, u ndaluan pasi në produktet e saj u zbuluan komponentë të dyshuar si të ndaluar nga Kina. “Shumica e kompanive perëndimore të dronëve ende varen nga komponentët kinezë,” tha për Forbes CEO-ja i Orqa-s, Srdjan Kovacevic. (Ai shtoi se Orqa tashmë ka zhvendosur prodhimin brenda kompanisë.)
Ky është lloji i kontrollit që tarifat e vendosura nga presidenti Donald Trump synojnë teorikisht të thyejnë — duke inkurajuar kompanitë amerikane të ulin varësinë nga zinxhirët e lirë të furnizimit të huaj dhe të ndërtojnë të tyret brenda vendit. Por një proces i tillë kërkon vite kërkime, zhvillim dhe investime të konsiderueshme. Ndërkohë, tarifat hakmarrëse të Kinës pritet t’i bëjnë edhe më të shtrenjta komponentët nga të cilët varen prodhuesit amerikanë të dronëve; planet për të hartuar një sistem të ri eksporti tashmë po ndalin dërgesat e magneteve, thelbësorë për motorët e dronëve.
“Është më e lehtë të sanksionohesh nga Kina sesa të marrësh miratimin e Pentagonit.”
Por përpjekjet rregullatore për të zgjidhur problemin duke ndaluar të gjitha importet e dronëve dhe pjesëve kineze janë përballur me kundërshtim të fortë nga prodhuesit kinezë dhe investitorët amerikanë. Në përgjigje të një mase të propozuar nga Departamenti i Tregtisë që po shqyrton ndalimin ose kufizimin e dronëve dhe komponentëve të prodhuar në Kinë, firma e kapitalit sipërmarrës Andreessen Horowitz — e cila ka investuar në kompani të mëdha si Anduril, Skydio dhe Shield AI — kërkoi një qasje më të matur, me kufizime graduale për shitjet e pjesëve nga Kina, duke lejuar njëkohësisht që kompanitë amerikane të vazhdojnë të marrin pjesë të caktuara nga vendi.
“Heqja e menjëhershme e të gjithë burimeve të furnizimit të bazuara te kundërshtarët e huaj për komponentët kritikë të dronëve do të kishte një efekt katastrofik mbi industrinë amerikane të dronëve,” shkroi shefi ligjor Jai Ramaswamy në një letër drejtuar Departamentit të Tregtisë muajin e kaluar (firma nuk pranoi të komentojë më tej).
Një katastrofë e tillë mund të jetë pikërisht ajo që nevojitet, thonë ekspertët e sigurisë kombëtare. “Do të vijë një moment që do të duhet të heqësh fashon,” tha Steinman. “Dhe ose do ta bësh vetë zgjedhjen, ose [Kina] do ta bëjë për ty.”